Elvir Muriqi: Do të shihni një shqiptar me zemër

14/02/2009 10:25

Pas stërvitjes rraskapitëse të këtyre javëve të fundit dhe replikave në distancë, të premten në mbrëmje, Elvir Muriqi dhe Klinton Vuds janë ballafaquar në ceremoninë e matjes.

Në prani të gazetarëve dhe tifozëve në “Royal Yacht Hotel”, dy boksierët kanë “kryqëzuar” për herë të parë shikimin, në prag të duelit eliminator për titullin botëror në versionin IBF.

Atmosfera për përballjen e sotme në “Hotel de France” është shumë e nxehtë, ndërkohë që sfida në peshat gjysmë të rënda pritet të jetë interesante, pasi të dy boksierët kërkojnë fitore. Fillimisht dueli rrezikoi të mos zhvillohej, për shkak të problemeve me pasaportën dhe vizën e 29-vjeçarit, i cili arriti në Angli me katër ditë vonesë nga afati i përcaktuar.

Rreth kësaj që ndodhi “Kosovo Kid” u shpreh: “Ndihem pak i lodhur, jo vetëm prej problemeve procedurale, por edhe nga rruga e gjatë. Megjithatë, kjo nuk do të ndikojë në paraqitjen time. Në ring do të shihni një shqiptar me zemër, që kërkon fitoren.

Ndihem në formë të shkëlqyer dhe besoj se do të më shpërblehet i gjithë mundi për këtë duel”. Në anën tjetër, 36-vjeçari Klinton Vuds pranoi se nëse humbet përballë Muriqit, ai do të tërhiqet nga boksi. “Kam shansin që nëse mposht Muriqin, të konkurroj për të rifituar titullin e kampionit në IBF, tha anglezi. Por, nëse humbas, mendoj se do t’i jap fund karrierës në boks”.

Top Channel