Cana mungon edhe ndaj Monakos

14/02/2009 10:10

Edhe pse afati i rikuperimit të tij ishte përcaktuar data 15 shkurt, Lorik Cana ende nuk ka arritur formën optimale.

Mesfushori i Kombëtares nuk do të jetë në fushë të dielën me Olimpik Marsejën, që do të luajë në fushën e vështirë të Monakos.

“Për sa i takon gjendjes së Lorikut, më parë duhet të shohim sesi do të reagojë gjuri i tij ndaj stërvitjeve me pjesën tjetër të skuadrës”, shpjegoi trajneri Erik Gerets.

Pas afro dy muajve pushim, të premten paradite, 25-vjeçari filloi vrapimet. Cana u stërvit për herë të parë me grupin marsejez, por një përfundim më i saktë rreth gjendjes së tij mund të jepet vetëm në ditët në vazhdim.

Sipas të gjitha gjasave, mesfushori me tipare shkatërruese, do të mungojë edhe në takimin e Kupës UEFA, ku Marseja luan me holandezët e Tuentes. Për shkak të problemeve në gju, zëvendëskapiteni kuqezi nuk luajti në barazimin zhgënjyes 0-0, që Shqipëria arriti në fushën e Maltës, në eliminatoret e Botërorit 2010.

Top Channel