Lorik Cana, rikthimi është ende i paqartë

13/02/2009 10:30

Lorik Cana, mesfushori shqiptar i Olimpikut të Marsejës në kampionatin francez të futbollit, vazhdon të ndjejë shqetësime nga dëmtimi, i cili e la edhe jashtë Kombëtares për ndeshjen e së mërkurës kundër Maltës në La Valeta.

Lojtari nuk besohet të jetë pjesë e skuadrës së Marsejës, e cila do të ndeshet këtë javë me Monakon në kampionatin francez. Faqja online e gazetës franceze (20minutes.fr) shkruan se kapiteni Lorik Cana, bashkë me Mamadu Niang dhe Baki Kone nuk janë ende gati, duke shtuar se gjendja e shqiptarit është ajo që shqetëson më shumë drejtuesit e ekipit.

“Duhet të presim për Canën, citohet të ketë thënë vetë trajneri i Marsejës, Erik Gerec, po ashtu Niang e Kone duhet të përmirësohen gradualisht. Vetëm mjekët mund të thonë se kur do të jetë e mundur që një lojtar të aktivizohet pa i dëmtuar shëndetin”.

Mungesa e Canës u ndje shumë në radhët e Shqipërisë, e cila nuk mundi të shkonte me tej se një barazim 0-0 ndaj maltezëve në takimin e së mërkurës, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit Afrikë e Jugut 2010. Gjithsesi trajneri Ari Han është i kënaqur të paktën për rikthimin e Lorikut në dispozicion për ndeshjen e 28 marsit kundër Hungarisë në Tiranë.

Top Channel