Fitzel: Mund të kishim fituar me Shqipërinë

13/02/2009 10:05

Edhe pse kundër Shqipërisë fituan pikën e parë në këto eliminatore, maltezët nuk duken plotësisht të kënaqur. Epërsia që vendasit treguan në “Ta’ Qali”, bëri që për një moment ata të ëndërronin edhe fitoren.

Kjo është konfirmuar nga trajneri Dushan Fitzel, që në konferencën për shtyp pas ndeshjes së 11 shkurtit deklaroi: “Gjatë pjesës së parë u kuptua se ndeshja do të ishte më shumë një përplasje taktike.

Skuadrës sonë iu desh pak kohë që të ambientohej me skemën e re, ndërsa në këtë periudhë, shqiptarët ishin më efecientë. Ata qarkullonin topin në mesfushë dhe na impononin ritmin e tyre në lojë”.

Më tej, drejtuesi i stoli të Maltës shtoi: “Në pjesën e dytë, loja jonë u rrit dukshëm dhe jam i lumtur, veçanërisht pasi nuk pësuam gol, madje rrezikuam edhe të shënonim. Regjistruam disa raste të pastra dhe mendoj se mund të kishim shënuar të paktën një herë. Por, duke e vlerësuar ndeshjen në kompleks, mendoj se ajo ishte e barabartë”.

Top Channel