Flamur Kastrati, te Tuente në Holandë

12/02/2009 09:55

Flamur Kastrati është talenti më i ri me origjinë shqiptare që po mahnit Evropën.

Që prej merkatos së janarit, sulmuesi 17-vjeçar është bërë pjesë e FC Tuente, skuadrës së drejtuar nga ish-trajneri i Anglisë, Stiv Meklaren. Klubi, që aktualisht mban vendin e dytë në “Eredivisie” (kampionati holandez), e ka blerë Kastratin nga norvegjezët e Skeid.

Ai mbahej nën vëzhgim që prej sezonit të kaluar, kur realizoi gjashtë gola në 20 ndeshje në Kategorinë e Dytë, ndërkohë që kaloi me sukses provën te Tuente. Kosovari, i cili ka luajtur 8 ndeshje me përfaqësuesen Under-17 të Norvegjisë, ku konsiderohet si një prej talenteve më të mëdhenj, ka firmosur kontratë për tre vjet e gjysmë.

Edhe pse do të stërvitet rregullisht me ekipin e parë, Flamur Kastrati do të aktivizohet me skuadrën e rezervave. Ndërkohë, pas kontratës me klubin e mirënjohur në Vendet e Ulëta, për sulmuesin ka filluar të interesohet edhe Federata Shqiptare e Futbollit, në mënyrë që ai të luajë me përfaqësuesen kuqezi.

Nuk përjashtohet mundësia që trajneri i Kombëtares Shpresa, Artan Bushati, ta grumbullojë talentin (gjithmonë nëse Kastrati pranon), për ndeshjet zyrtare në eliminatoret e Evropianit 2011.

Top Channel