Ari Han: Shqipëria do të fitojë duke sulmuar

11/02/2009 09:30

Vetëm pak orë përpara ndeshjes me Maltën, trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, ka folur për gjendjen në skuadrën kuqezi. Ai konfirmoi se për shkak të dëmtimit në njërin gju, portieri Arjan Beqaj nuk do të luajë.

Në këtë mënyrë, “gardiani” i shtohet listës së mungesave për sfidën e sotme në stadiumin “Ta’ Qali”, ku në fushë nuk do të jenë as dy pikat e forta të mesfushës, kapiteni Altin Lala dhe zëvendëskapiteni Lorik Cana. Porta do t’i besohet Isli Hidit, i cili ofron siguri, ndërkohë që i gatshëm në stol do të qëndrojë talenti i Palermos, Saimir Ujkani.

“Beqaj nuk luan, madje nuk do të jetë as në stolin e rezervave”, deklaroi Han në konferencën për shtyp, që u zhvillua dje pasdite. “Ai ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi dhe për këtë arsye do ta shohë ndeshjen në tribunë. Gjithsesi, kemi besim të plotë tek Isli Hidi, për të cilin nuk do të jetë ndeshja e parë si titullar. Ai ka përvojën e duhur për një përballje kaq delikate”.

Drejtuesi i stoli kuqezi konfirmoi se objektivi i Shqipërisë është vetëm fitorja. Holandezi synon t’i marrë tri pikët në La Valeta, duke hedhur në fushë një skuadër shumë ofensive, e cila do të kërkojë golin nga minuta e parë, deri në fërshëllimën finale.

“Kemi ardhur këtu për të sulmuar dhe për të fituar. Objektivi i skuadrës është që të luajë futboll të bukur dhe po mendojmë të hedhim në fushë një formacion sulmues”, shtoi Han. Gjithsesi, ai nuk e fshehu faktin se i trembet asaj që është konsideruar “Thembra e Akilit” në përballjet e Kombëtares me kundërshtarë më të dobët teknikisht: vetëkënaqësisë.

“Jemi përballë një ndeshjeje shumë të vështirë, e cila komplikohet edhe nga disa elementë të tjerë, pohoi tekniku ‘tulipan’.Ne do të luajmë për të fituar, por është më se normale që i trembem euforisë dhe faktit se skuadra mund të jetë e vetëkënaqur”.

Tjetër problem është edhe forma jo optimale e disa futbollistëve, të cilët ende nuk e kanë nisur sezonin me klubet ku militojnë.
Ky “handikap” vjen në një moment delikat për skuadrën, së cilës i mungojnë shumë lojtarë.

“Disa lojtarë të formacionit mungojnë për shkak të dëmtimeve, megjithatë, besoj se ata që do të aktivizohen do ta justifikojnë besimin që i kemi dhënë. Për mendimin tim, problemi më i madh është forma e disa lojtarëve, që për arsye të ndryshme, nuk janë aktivizuar rregullisht me skuadrat e tyre”.

Në fund, edhe dy fjalë për kundërshtarët: “Ata janë një skuadër e uritur për fitore dhe për të shënuar gola (pas katër ndeshjeve ata nuk kanë realizuar asnjë rrjetë në Grupin 1 eliminator). E kemi të qartë se Malta mund të bëhet një kundërshtar mjaft i rrezikshëm, ashtu sikurse ndodhi në sfidën e shtatorit 2008 në Tiranë”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta