
Takimi i së mërkurës, i cili do të luhet në stadiumin “Ta Qali” në orën 19:30, do të jetë i shtati ndërmjet Shqipërisë dhe
Maltës.
Edhe pse dy vendet tona janë mjaft afër gjeografikisht (pak më shumë se 1 orë udhëtim me aeroplan me linjë direkte, por disa herë më shumë duke llogaritur transitet për të arritur në La Valeta), historia e përballjeve u takon viteve të fundit.
Përballja e parë është luajtur 14 vjet më parë, kur në gusht të vitit 1995 dy skuadrat zhvilluan një miqësore: kuqezinjtë e drejtuar nga Neptun Bajko humbën 2-1 ku për Shqipërinë shënoi sulmuesi Alban Bushi. Tre vjet më pas, rezultati final i ndeshjes (së vlefshme për Kupën Rothmans) ishte barazimi 1-1.
Ndërkohë, katër sfidat e fundit ndërmjet përfaqësueses tonë dhe Maltës kanë nxjerrë të gjitha fituese Shqipërinë. Në shkurt të vitit 2000, skuadra e drejtuar nga Medin Zhega fitoi 1-0 me rrjetë të Vioresin Sinanit, me kuqezinjtë që në atë vit koleksionuan kupën e dytë ndërkombëtare, trofeun “Rothmans”, i cili erdhi 54 vjet pas triumfit në Kampionatin e 7-të Ballkanik.
Në tri ndeshjet e fundit, Shqipëria ka fituar me rezultatin 3-0. Me tre gola në total, Bogdani është kuqeziu që ka shënuar më shumë në portën malteze.
Top Channel