Shpresa, starton grumbullimi 3-ditor

10/02/2009 09:55

Trajneri i përfaqësueses Shpresa, Artan Bushati, ka startuar dje grumbullimin 3-ditor me lojtarët që militojnë në kampionatin
shqiptar.

Duke përfituar nga impenjimi i Kombëtares së drejtuar nga Ari Han, trajneri shkodran shfrytëzoi këtë fillim jave për të
vëzhguar lojtarët që janë pjesë e Under-21 dhe ata që aspirojnë të veshin fanellën kuqezi.

Gjatë mesditës së djeshme, skuadra u mblodh përpara stadiumit “Qemal Stafa” në kryeqytet, ndërsa më pas ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamzë.

Grumbullimi është mjaft i rëndësishëm për Shpresat, edhe sepse ndeshja e parë e të besuarve të Bushatit do të luhet më 28 mars. Rivalja e parë në Grupin 10 eliminator të Kampionatit Evropian 2011 për U-21 është Skocia.

Federata e këtij vendi ka bërë të ditur se do të përdorë “çarter” për udhëtimin në Shqipëri, në mënyrë që të evitohen udhëtimet dhe transitet. Në vitet e fundit, klubet skoceze janë ankuar se lojtarët vonoheshin shumë dhe lodheshin fizikisht nga ndeshjet ndërkombëtare.

Top Channel