Reporteret, verifikimi per “Dosjet”, “Tema”, Biberaj…

10/02/2009 15:00

Reporteret e Asamblese Parlamentare te Keshillit te Europes vazhdojne misionin faktmbledhes ne Tirane. 

Reporterët e Komitetit Monitorues të Asamblesë , Jakko Laakso nga Finlanda dhe David Wilshire nga Britania e Madhe takuan fillimisht në një hotel të kryeqytetit, botuesin e gazetës “Tema”, Mero Baze.

Takimi vijoi nga ora 8:00 deri në 9:00 të mëngjesit, pa praninë e mediave. Mësohet se në pyetjet e tyre ata janë fokusuar në marrëdhëniet e tensionuara të qeverisë me botuesin, problemet e gazetës dhe rastin e djegies së makinës së tij personale. Raportuesit e pyetën zotin Baze edhe për akuzat që ai ka ngritur në gazetën e tij në lidhje me rrugën Durrës-Kukës dhe shpërthimin e Gërdecit.

Më pas raporterët u takuan me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Sipas njoftimit zyrtar kryetarja Topalli u bëri atyre një ekspoze mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, duke vlerësuar frymën e konsensusit në miratimin e kodit elektoral dhe në zgjedhjen anëtarëve të KQZ-së.

Kryetarja e Kuvendit ftoi anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të monitoruar nga afër procesin zgjedhor si edhe zbatimin e Ligjit të Lustracionit. Sipas saj Ligji i Lustracionit “është një ligj i domosdoshëm, për t’u ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja”.

Më pas, reporterët u takuan me zëvendëskryeministrin Genc Pollo. Fill pas takimit me të, reporterët u takuan me ministrin e punëve të Brendshme Bujar Nishani. Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, janë menduar takime edhe me Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në.

Pas këtij misioni verifikues në terren, raportuesit do të përgatisin një raport në lidhje me respektimin e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Këshillit të Europës, ku temat kyc do të jenë Ligji e Lustracionit, përgatitja e zgjedhjeve parlamentare dhe ndjekja e Rezolutës 1650 të këtij viti, pra rasti i shkarkimit të deputetit Biberaj nga kryesimi i delegacionit tonë parlamentar në Strasburg.

Top Channel