Curri: Në Maltë, tri pikë për të ëndërruar

10/02/2009 09:30

Ndeshja e 11 shkurtit në La Valeta vlerësohet si tejet e rëndësishme për vazhdimësinë e Kombëtares shqiptare në eliminatoret e Botërorit 2010.

Që prej së dielës, kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han, kanë filluar grumbullimin për përballjen me Maltën. Tri pikët do t’i jepnin sërish përfaqësueses tonë kryesimin në Grupin 1 dhe fitoren e dytë në këtë aktivitet.

Mbrojtësi Debatik Curri deklaron se Shqipëria është e detyruar të marrë tri pikët, nëse dëshiron të ëndërrojë për t’u kualifikuar në fazën finale të evenimentit që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut.

“Ndeshja ndaj Maltës do të jetë shumë e vështirë dhe do të jetë një ndër përballjet kryesore në këto eliminatore. Duhet që ta fitojmë patjetër të mërkurën, nëse dëshirojmë të realizojmë ëndrrën për një kualifikim të mundshëm në Botërorin 2010”, deklaroi 25-vjeçari.Kuqezinjtë do të paraqiten në stadiumin “Ta Qali” me dy mungesa shumë të rëndësishme: për shkak dëmtimesh kundër Maltës nuk u grumbulluan kapiteni Altin Lala dhe zv/kapiteni Lorik Cana.

“Mungesa e Lalës dhe ajo e Canës do të ndihen te Kombëtarja, pasi ata janë ndër lojtarët kryesorë të kësaj skuadre. Gjithsesi, trajneri do të vendosë zëvendësuesit e tyre nga kontingjenti aktual dhe për aq kohë do të japim maksimumin si skuadër, këtë ndeshje mund ta fitojmë”, vazhdoi më tej Curri.

Pas impenjimit me maltezët e drejtuar nga Dushan Fitzel, në muajin mars kuqezinjtë do të presin në stadiumin “Qemal Stafa”, Hungarinë, e cila është kundërshtarja e vetme, që deri në këtë fazë të eliminatoreve u ka shkaktuar humbje.

“Një fitore të mundshme ndaj Maltës, na jep më shumë qetësi për ndeshjen e radhës, ku do të presim në fushën tonë Hungarinë. Sigurisht që edhe në atë sfidë kërkojmë fitore. Madje, në këtë ndeshje do të jemi më të mobilizuar, pasi do të kthehen futbollistët e dëmtuar. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se e kemi marrë lehtë përballjen e së mërkurës. Ata janë një kundërshtar që di të tregohet i rrezikshëm dhe kërkon impenjim maksimal. Ashtu siç e thashë pas ndeshjes në Tiranë, më shumë u lodha duke luajtur kundër maltezëve se kundër Suedisë së Ibrahimoviç”, theksoi ai.

Shqipëria fitoi 3-0 në takimin e parë kundër Maltës, ndërkohë që pas katër ndeshjeve renditet e katërta në Grupin 1, në kuotën e 5 ikëve, dy më pak se Danimarka kryesuese.

Top Channel