Grumbullimi, shtatë mungesa në 24 orët e para

09/02/2009 10:15

Grumbullimi i Kombëtares shqiptare në La Valeta ka nisur me shtatë mungesa. Ashtu siç ishte paralajmëruar, me skuadrën nuk janë bashkuar ata lojtarë, klubet e të cilëve luanin në fundjavë.

Pas një rruge të gjatë, rreth mesditës, kuqezinjtë u akomoduan në kryeqytetin maltez, ndërkohë që pasdite trajneri Ari Han ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore. Kontingjentit i mungonin Ervin Skela, Erjon Bogdani, Arjan Beqaj, Saimir Ujkani, Gilman Lika dhe dyshja e Vorskla Poltavës, Armend Dallku dhe Debatik Curri.

Fakt interesant është se vetëm Skela është aktivizuar gjatë fundjavës: mesfushori luajti 90 minuta në takimin që Energie Kotbus fitoi 3-1 me Hanoverin. Arjan Beqaj dhe Erjon Bogdani kanë munguar në impenjimet e Anorthosis në kampionatin qipriot dhe Kievos në Serinë A.

Ndërkohë, Lika, Curri dhe Dallku kanë vuajtur rrugën e gjatë për t’iu bashkuar përfaqësueses. Të tre këta lojtarë, që niseshin nga Turqia, mbërritën vetëm në mbrëmje në hotel, edhe për shkak të itinerarit Stamboll-Frankfurt-La Valeta. Sipas burimeve zyrtare nga FSHF, Skela, Bogdani e Ujkani do të humbasin edhe stërvitjen e parë të ditës së sotme, ndërkohë që pritet të jenë normalisht në urdhrat e Han në seancën e pasdites. Shqipëria luan kundër Maltës, të mërkurën (më 11 shkurt) në orën 19:30.

Top Channel