Kombëtarja, emri i Dedes u fshi nga lista e të thirrurve

07/02/2009 10:00

Edmond Kapllani dhe Jahmir Hyka, dy futbollistët me një vazhdueshmëri në grumbullimet e kombëtares, tashmë do të duhet të përballen me lënien jashtë saj.

Por kjo lënie jashtë do të jetë e përkohshme. Këtë e garanton vetë Han, jo vetëm për gazetarët e interesuar, por më parë ai i kishte siguruar vetë këta dy futbollistë se, bëhet fjalë për një zgjedhje teknike enkas për ndeshjen ndaj Maltës. Madje, për të qenë korrekt në veprimet e tij, duke dashur të shmangë çdo keqkuptim, tekniku holandez u ka dërguar Kapllanit dhe Hykës një letër, ku u ka sqaruar arsyet e mosgrumbullimit të tyre.

“Mirë do të ishte që t’i kishim në grup, por ishte e pamundur, pasi kaq mund të thërrisja, nënvizon Han, duke iu referuar dy futbollistëve. Mosgrumbullimi i Kapllanit nuk ka të bëjë aspak me problemet disiplinore, por sepse kemi shumë lojtarë në repartin e sulmit. Ai është një lojtar mjaft i rrezikshëm në zonë dhe ne nuk jemi një skuadër e tillë, që luan shumë në zonën e kundërshtarëve. Këtë fakt ai po e vuan edhe te Karlsruhe. U kam dërguar letra, ku u shkruaja se ata vazhdojnë të jenë pjesë e kombëtares”.

Por, Kapllani dhe Hyka nuk janë të vetmit të munguar të listës anti-Maltë. Këtë herë nuk mundi ta bënte rikthimin edhe mbrojtësi Nevil Dede.

Han pohon se “e kam ndjekur dy herë në Kinë, por edhe të mërkurën ndaj Lushnjës”. Tekniku lë të kuptohet se mosgrumbullimi vjen si rezultat i formës jo të mirë që po kalon mbrojtësi. Ndërkohë që mësohet se emri i Dedes ka qenë në listën e të ftuarve të Hanit deri të mërkurën pasdite, madje ka pasur edhe një biletë të prerë për të në drejtim të Maltës. Por, trajneri holandez, edhe pse theksoi se kishte shkuar në ndeshjen Lushnja-Elbasani që të shikonte Vrapin, duket se ka mbetur i pakënaqur nga paraqitja e mbrojtësit veteran.

Dhe, me të mbërritur në Tiranë, ia ka fshirë emrin nga lista. Timonieri i kuqezinjve për minuta të tëra është vënë nën presion nga gazetarët, të cilët i kanë kërkuar arsyet se përse nuk janë grumbulluar disa futbollistë, si Bylykbashi, Xhihani, apo Memelli.

“Me ndershmëri e them se nuk e kam ndjekur shumë ecurinë e tij në kampionat, sqaron Han për Xhihanin. Nuk mund të marr lojtarë, të cilët nuk i njoh, kam marrë ata që njoh. Por, nëse ai vazhdon të paraqitet mirë, patjetër që do jetë pjesë e planeve”. Ndërsa në lidhje me bomberin e kampionatit shqiptar, Han të tregon vendet në listë: “Kam shumë sulmues, plus që lista nuk është me 20-23 lojtarë. Gjithsesi, mendoj se Memelli ka luajtur shumë mirë. Dera do të jetë gjithmonë e hapur për të”.

 

Top Channel