Han: Luajmë për të fituar ndaj Maltës

07/02/2009 09:50

Trajneri i kombëtares, Ari Han, ka zbuluar 19 emrat që do të ketë në dispozicion për ndeshjen eliminatore me Maltën.

Në sfidën e 11 shkurtit në La Valeta, konfirmohet mungesa e kapitenit Altin Lala dhe zv/kapitenit Lorik Cana, megjithatë drejtuesi i stolit kuqezi ka besim të plotë te grupi i përzgjedhur. Në skuadër bën pjesë edhe Erjon Bogdani, pavarësisht lëndimit që ka pësuar në mesjavë.

Në miqësoren ku Kievo luajti përballë Ausonia Milano, 31-vjeçari u dëmtua në vetull, pas një dueli në kufi të zonës: ai u largua nga fusha përpara mbylljes së pjesës së parë, ndërkohë që për të mbyllur plagën ishin të nevojshme tetë qepje. Gjithsesi, kjo çarje nuk e penalizon Bogdanin, i cili do t’i bashkohet normalisht skuadrës të dielën në La Valeta, për të filluar përgatitjet me pjesën tjetër të grupit.

Skuadra

Ajo që spikat në listën e teknikut holandez është prezenca e shumë lojtarëve me tipare të theksuara sulmuese. Përveç Ervin Skelës, Erjon Bogdanit, Klodian Duros, Hamdi Salihit e Besart Berishës, në repartin ofensiv janë përfshirë edhe të rinjtë Elis Bakaj, Gilman Lika e Xhevahir Sukaj (të dy shkodranët ishin pjesë e ekipit në miqësoren e nëntorit 2008 kundër Azerbajxhanit).

Në total, numri i tyre shkon në tetë: mjaft i lartë, duke llogaritur që kundër Maltës do të jenë në dispozicion vetëm 19 futbollistë, tre prej të cilëve janë portierë.

Han i beson kontingjentit të zakonshëm dhe nuk rezervon surpriza. Edhe pse nuk luan prej afro tre muajsh, Arjan Beqaj është në skuadër, ashtu si edhe Isli Hidi e Saimir Ujkani. Mbrojtja nuk ndryshon: përveç Dallkut, Elvin Beqirit e Debatik Currit, të cilët shihen si titullarë, Agolli, Vangjeli e Andi Lila do të luftojnë për një vend në formacion. Vrapi dhe Bulku pritet të luajnë në qendër të mesfushës, si “barrikadë” përpara mbrojtjes.

Një tjetër element që bie në sy është prezenca e gjashtë lojtarëve nga Kategoria Superiore, ku Vllaznia e Tirana janë skuadrat më të përfaqësuara.

Objektivi

Synimi për sfidën me Maltën është i qartë: përballë skuadrës më të dobët në Grupin 1 eliminator, kërkohet vetëm fitorja. Por, Ari Han synon të mbajë të tijtë në tension, në mënyrë që skuadra të mos e humbasë përqendrimin. “Edhe pse njerëzit besojnë te një fitore e thjeshtë, unë ju them se nuk është kaq e lehtë.

Në ndeshjen e mëparshme, ku fituam 3-0 në Tiranë, edhe pse krijohet ideja e një fitoreje bindëse, nuk ndodhi kështu”, deklaroi tekniku.

“Përpara fundit të pjesës së parë dhe pak para fundit të takimit hasëm probleme. Për takimin e 11 shkurtit mungojnë Lala e Cana. Beqaj e Bogdani kanë luajtur pak, ashtu si edhe lojtarët që militojnë në Ukrainë, të cilëve nuk u ka filluar kampionati. Probleme do të kemi gjithmonë, por skuadra duhet të jetë në gjendje të arrijë rezultate pozitive. Nuk mund të mendojmë se jemi Spanja dhe mund të shkojmë të fitojmë 2-0, apo 3-0. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por do të luajmë për të fituar. Malta mendon se në këtë grup eliminator mund t’i marrë pikë vetëm Shqipërisë dhe impenjimi i tyre do të jetë 200 për qind. I tillë duhet të jetë edhe impenjimi ynë. Fitorja na ngre në vendin e parë. Nëse me një pozicionim të tillë mund të kualifikohemi në Botërorin 2010? Nëse nuk ëndërron në jetë, është njësoj sikur nuk jeton. Edhe unë kam ëndrrat e mia dhe ato lidhen me futbollin. Gjithsesi, për shanset për kualifikim mund të flas vetëm pasi të mbyllim ndeshjen me Maltën”.
 

Top Channel