Magani: Kupat e Evropës mbeten objektivi ynë

06/02/2009 09:10

Pavarësisht humbjes së djeshme me Tiranën, te Shkumbini vazhdojnë të besojnë se skuadra e ka kualitetin që të garojë për një vend në Kupat e Evropës.

Peqinasit qëndrojnë në vendin e pestë në klasifikim, vetëm 2 pikë më pak se Dinamo dhe Besa. Disfata në Tiranë solli rezultatin e parë negativ pas tri ndeshjesh, por trajneri Gugash Magani kërkon të shohë përpara.

“E dinim që ndeshje e sotme (djeshme) me Tiranën do të ishte shumë e vështirë për ne. Nuk arritëm të finalizonim dy apo tri raste që krijuam në pjesën e parë, me të cilat mund të kishim marrë një rezultat pozitiv”, deklaroi drejtuesi i stolit të Shkumbinit.

Më tej, ai foli për përballjen e ardhshme, kundër Partizanit dhe kërkon nga të tijtë përqendrim maksimal. Të kuqtë vijnë nga tri fitore radhazi në kampionat, duke ringjallur shpresat për mbijetesë në elitë. Megjithatë, në Peqin tri pikët shihen si një detyrim, edhe sepse objektivat e këtij sezoni janë mjaft ambiciozë.

“Duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë humbje me Tiranën dhe të fillojmë punën për takimet e ardhshme. Duhet të mendojmë për Partizanin, që në këtë pjesë të kampionatit është bërë i frikshëm. Qëllimi ynë (i Shkumbinit) është të dalim në Kupat e Evropës dhe çdo fitore është jetike për të realizuar këtë synim”, përfundoi Magani.

Top Channel