Shqipëria, U-21, kundër Austrisë e Bjellorusisë

05/02/2009 10:15

Kombëtarja Shpresa e Shqipërisë do të luajë në eliminatoret e Evropianit 2011 për U-21 kundër Austrisë, Bjellorusisë, Skocisë e Azerbajxhanit.

Pas shortit të hedhur dje në Arhus, kuqezinjtë e drejtuar nga Artan Bushati janë pozicionuar në Grupin 10, i cili mund të cilësohet relativisht i vështirë.

Austria shihet si “koka e serisë”, megjithatë e frikshme është edhe Bjellorusia, që do të luajë në fazën finale të Euro 2009 për Under-21, në Suedi. Skocia është një kundërshtar i fortë, por jo i pamposhtur, ndërkohë që vetëm Azerbajxhani vlerësohet me kualitet më të ulët se Shqipëria.

Pervec Danimarkës, që kualifikohet direkt në fazën finale si vend organizator, 52 skuadrat e tjera janë shpërndarë në dhjetë grupe (tetë me nga pesë ekipe dhe dy grupe me gjashtë). Ndeshjet do të zhvillohen me sistemin standard vajtje-ardhje: sfidat e para luhen më 28-29 mars 2009, ndërkohë që të fundit në datën 7 shtator 2010.

Dhjetë fitueset e grupeve dhe katër të dytat më të mira do të zhvillojnë ndeshje “play-off”, për të përcaktuar shtatë finalistet.

Top Channel