Basketboll, Spiro Leka, trajner i Angels

05/02/2009 10:25

Një shqiptar drejton me sukses disa skuadra basketbolli në Itali. Bëhet fjalë për 43-vjeçarin Spiro Leka, i lindur nga një baba amerikan dhe mama shqiptare, i cili e ka lënë vendlindjen 12 vite më parë, për t’u transferuar në Pezaro të Italisë.

Më pas, karriera e tij është ndërtuar mbi suksese të shumta, pasi ka udhëhequr ekipin “Basket Fano”, të cilin brenda dy vitesh e ngjiti nga seria D në serinë C1 (në vitet 1995-97). Të njëjtën ngjitje të dyfishtë ka bërë më pas edhe me skuadrën “Basket Morciano” (në vitet 2003-2005).

Në sezonet e fundit, ka drejtuar ekipin “Pallacanestro Titano”. Por tashmë, ai ka tërhequr vëmendjen e shtypit lokal italian, pasi të martën është emëruar në krye të ekipit të Serisë C, Angels.

Menjëherë pas emërimit, Leka është prononcuar: “Është kënaqësi të drejtosh këtë ekip të fortë e teknik, por që për njëmijë faktorë të jashtëm, nuk ka një pozicion të mirë në renditje. Grupi ka nevojë për të gjetur qetësinë dhe unë do të jap më të mirën time për ta ngjitur në vendin që i takon”

Top Channel