Ari Han vëzhgon Superioren

05/02/2009 10:00

Në prag të sfidës së 11 shkurtit me Maltën, Ari Han filloi vëzhgimet e futbollistëve të kampionatit shqiptar. Drejtuesi i stolit kuqezi ishte i pranishëm në tribunën e stadiumit “Roza Haxhiu”, ku Lushnja priti Elbasanin.

I vëzhguari “special” i këtij takimi ishte mbrojtësi Endri Vrapi, të cilin holandezi mendon ta aktivizojë në La Valeta si mesfushor krahu (duke përdorur Klodian Duron si mesfushor qendre). Sot, trajneri do të vëzhgojë edhe ndeshjen Tirana-Shkumbini, pasi në kontingjentin bardheblu militojnë shumë lojtarë të përfaqësueses. Në “skaner” do të jetë edhe forma e sulmuesit Migen Memelli, i cili shihet si kandidat potencial për një vend në repartin sulmues.

Gjithsesi, lista zyrtare e Shqipërisë do të publikohet vetëm të premten, kur Han do të dalë në një konferencë për shtyp, për të argumentuar zgjedhjet e tij. Përveç Altin Lalës së dëmtuar, në dyshim janë edhe prezencat e Lorik Canës e Arjan Beqajt, ndërkohë që Edmond Kapllani dhe Jahmir Hyka janë “përjashtuar” për zgjedhje teknike.

Por, lajme të mira për kuqezinjtë vijnë nga kampi kundërshtar. Të mërkurën e ardhshme, Malta do të jetë pa dy lojtarët kryesorë, Daniel Bogdanoviç dhe Majkëll Mifsud. Lajmi u konfirmua nga trajneri Dushan Fitzel, i cili deklaroi se këta dy lojtarë mund të mungojnë edhe në sfidën e muajit të ardhshëm kundër Danimarkës.

Fitzel është i shqetësuar edhe për gjendjen fizike të maltezëve që, për shkak të kushteve atmosferike, nuk janë stërvitur rregullisht. Për këtë arsye, dje në Ta’ Qali, u zhvillua një ndeshje miqësore me hungarezët e Ferencvaroshit.

Top Channel