Mundje, shqetësim për fatet e Evropianit

02/02/2009 09:55

Kampionati Evropian i Mundjes është në prag, ndërkohë që në Federatën e Mundjes, drejtuesit e rinj ende nuk e kanë kapur në dorë si duhet situatën.

Por një gjë e tillë nuk po i shkon për shtat sportistëve dhe trajnerëve të tyre, të cilët po përgatiten për të zbritur në tapet në muajin mars, në takimet e vlefshme për Kampionatin Evropian të Mundjes. 12 nga 15 ekipe shqiptare të mundjes kanë kërkuar nga kryesia aktuale e Federatës së Mundjes që të sqarojë situatën e krijuar pas zgjedhjeve të reja.

Përfaqësuesit e klubeve kanë gjetur rastin të mbështesin edhe një herë organet e reja drejtuese, si dhe të shprehin pakënaqësitë për drejtuesit e mëparshëm.

Trajnerët e ekipeve si: Kukësi, Vllaznia, Besa, Dinamo, Partizani, Tirana dhe Apolonia kërkojnë marrjen në zotërim të
dokumentacionit të federatës, për të marrë pjesë në aktivitetet kombëtare dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në garat ndërkombëtare.

Të shqetësuar janë edhe vetë sportistët, të cilët janë stërvitur për një kohë të gjatë për të marrë pjesë në kampionate ndërkombëtare.

Në muajin mars pritet kampionati evropian, por ata janë siguruar nga presidenti Zeneli dhe sekretari Hasa se do të marrin pjesë në të jitha aktivitetet sapo të disponohet i gjithë dokumentacioni në Federatën Shqiptare të Mundjes.

Trajnerët e mundjes kanë gjetur rastin të shprehin shqetësimet e tyre në një mbledhje të thirrur nga  federata për organizimin e një aktiviteti mbarëkombëtar me mundës të rinj nga Shqipëria, Maqedonia,Kosova, madje edhe nga Greqia.

Gjithsesi, shpresohet se në ditët në vazhdim, gjithçka do të zgjidhet në lidhje me pretendimin e fundit, çka do të lejonte një vazhdim të qetë të punës drejt Evropianit.

Top Channel