Duro: Fillimi i mbarë “gjysma e punës”

02/02/2009 09:50

Edhe pse në efektet e një krize të rëndë financiare, e cila nuk duket se do ta gjejë një zgjidhje të shpejtë brenda klubit, por e ka “shtrirë dorën” jashtë tij, Partizani arrin të rrëmbejë një fitore në Ballsh dhe të shohë më shumë mundës për të shmangur një rënie të mundshme në një kategori më poshtë.

Të shtunën, të kuqtë kanë mundur 1-0 Bylisin në shtëpinë e këtyre të fundit, duke fiksuar fitoren e tretë në këtë sezon, por të dytën në transfertë, pas asaj ndaj Lushnjës në fazën e parë.

Kjo fitore ka kënaqur trajnerin Shpëtim Duro, i cili si të gjithë lojtarët, preferoi të mos e braktisë klubin në momentin e tij më të vështirë.

“Sigurisht që jam i kënaqur, pasi kjo ishte një fitore e rëndësishme për ne dhe theksoj se ky është një fillim i mbarë për këtë pjesë të sezonit, thotë trajneri i Partizanit, i cili, duke vlerësuar kundërshtarin, por edhe situatën e trazuar, në të cilën ndodhen të tijtë, e kishte  parashikuar si një sfidë të vështirë ndeshjen.

Sërish theksoj, ashtu siç e kam shprehur edhe më parë, kjo transfertë ishte e vështirë për ne dhe ne ia dolëm mbanë. Arbitrimi ishte korrekt në këtë ndeshje, mund të them edhe më korrekti nga të gjitha ndeshjet e tjera. Bylisi kishte rastet e saj për të shënuar, në përgjithësi uajtën një lojë të mirë. Gjithsesi, unë i uroj suksese kësaj skuadre për takimet që vijojnë”.

Top Channel