Tejkalojnë çdo pritshmëri! Vendimi i madh i FIFA-s që turpëron pesë ligat kryesore të Europës
Pas triumfit spektakolar dhe shumë emocionues në derbin e të shtunës ndaj Dinamos (4-2), të gjithë te Tirana janë bërë me “krahë”.
Nga drejtuesit më të lartë të klubit (donatorët) e deri te lojtari më i fundit i kësaj skuadre, besojnë dhe më shumë tani se, bardheblutë do të mund të shpallen kampionë të këtij edicioni të kampionatit shqiptar.
Një prej tyre është edhe Ansi Agolli, mesfushori tiranas, i cili u rikthye te ish-skuadra e tij e zemrës, jo vetëm për të ushtruar profesionin e tij si futbollist, por edhe për t’ia shpërblyer kësaj skuadre, që e lançoi në tregun ndërkombëtar të futbollit.
45 minutat e para i kanë lënë një shije të hidhur, pasi edhe pse skuadra e tij po përpiqej, goli vazhdonte të mungonte dhe dizavantazhi qëndronte ende në fuqi.
Por fraksioni i dytë i lojës, i dha mundësinë, për të qenë ai protagonist i përmbysjes së madhe, kur në minutën e 58, mundi të kthente në gol (barazim 2-2), një kros të Abrahamit.
“Jemi të lumtur për këtë fitore, shprehet mesfushori bardheblu, i ardhur në formë huazimi nga skuadra finlandeze e Vaasa PS. Luajtëm me një shpirt karakteristik, sidomos në pjesën e dytë. Paraqitja në derbi tregoi edhe një herë se ne kemi skuadër të mirë dhe dimë të reagojmë në situatat e duhura. Demonstruam të gjithë potencialin tonë dhe në fund e merituam fitoren”.
Për 26-vjeçarin mesfushor krahu, ky triumf ishte i rëndësishëm. i rrëfen edhe presionin e madh në prag të derbit.
“Kemi qenë nën tension para ndeshjes, pasi e dinim se kjo sfidë kishte rëndësi për vazhdimësinë dhe besoj ia dolëm mbanë, shton Ansi.
Situata aktuale në klasifikim, vetëm një pikë larg Vllaznisë kryesuese e kënaq. Dhe për këtë, ai nuk harron të falënderojë Shkumbimin, që frenoi arratisjen e shkodranëve të Agim Canajt. Humbja e Vllaznisë në Peqin, duket se ia ka bërë me të lehtë rrugën Tiranës.
“Kampionati është i gjatë, por fakti që edhe Vllaznia bëri hap fals në Peqin na ndihmoi të ripozicionohemi sipas dëshirës tonë në një
vend shumë komod në tabelën e renditjes, pohon mesfushori. Një gjë e tillë do të thotë se do ta kemi më të lehtë për të përmbushur objektivin
sezonal”.
Megjithatë, ai preferon të mbetet me këmbë në tokë dhe uron që skuadra të mos tregojë më ulje-ngritjet e deritanishme, pasi atëherë gjithçka mund të komprometohet.
“Shpresojmë të ruajmë këtë ritëm dhe në sfidat e ardhshme, në mënyrë që të fitojmë titullin, i cili është edhe objektivi ynë madhor për këtë edicion, shprehet Agolli, i cili rrëfen se ka mbetur shumë i kënaqur nga kjo fitore. Në fund të sezonit, mesfushorit do t’i duhet të rishikojë të
ardhmen e tij, pasi për momentin është vetëm në formë huazimi te Tirana, ndërsa kartoni i tij i përket finlandezëve të Vaasa PS.
Top Channel