Hull Siti, “luftë” rivalëve për Bogdanin

31/01/2009 09:10

Hull Siti u ka shpallur luftë të gjitha klubeve rivale në luftën për të siguruar shërbimet e Erjon Bogdanit.

Sulmuesi shqiptar është shndërruar në objektivin kryesor të debutuesve në Premiershipin anglez. Trajneri i “Tigrave”, Fil Braun kërkoi t’i shtojë më shumë kualitet skuadrës dhe të përforcojë repartin ofensiv dhe 31-vjeçari është në krye të listës së tij të dëshirave.

“Gjatë merkatos së dimrit, për Bogdanin janë interesuar edhe Roma dhe Lacio. Kjo ka nxitur drejtuesit e Hull Sitit që të nxitonin
dhe të paraqiteshin te Kievo me një ofertë zyrtare për sulmuesin. Trajneri Braun kërkon që me afrimin e këtij lojtari në premiership, skuadra të rigjejë formën e mirë dhe të kthehet te rezultatet pozitive. Për të plotësuar kërkesat e drejtuesit të stolit, Hull është gati të ‘luftojë’ me këdo kundërshtar, edhe nëse këto janë Roma dhe Lacio”, citonin burime pranë klubit për “Sky Sports”.

Në orët e fundit të merkatos, përfaqësues të Hull Sitit pritet të prezantohen te klubi veronez me një ofertë zyrtare, duke shpresuar se do të mposhtin të gjitha ekipet konkurrente. Ajo që e shtyn më shumë surprizën e këtij sezoni në elitën e futbollit anglez drejt Bogdanit është eksperienca e sulmuesit.

Përveçse një pikë e fortë e Kombëtares shqiptare, “Princi i Epirit” regjistron 240 ndeshje në ligat italiane, ku ka shënuar 56 gola. Vetëm pak ditë më parë, Bogdani refuzoi një ofertë të QPR-së, klubi i zotëruar nga Flavio Briatore (bosi i Renosë në Formula 1), që militon në Çempionshipin anglez.

Top Channel