Anglezët “çmenden” për Bogdanin

30/01/2009 09:15

Erjon Bogdani po çmend Anglinë. Klube nga Premiership dhe Championship kanë filluar të interesohen seriozisht për sulmuesin kuqezi në këto ditë të fundit të merkatos së dimrit.

Emrat më të spikatur janë Fulham dhe surpriza e këtij edicioni në elitën e futbollit britanik, Hull Siti. Edhe pse së fundmi ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga Kievo, 31-vjeçari mund të joshet nga ideja për ta mbyllur karrierën në atë që për momentin mban statusin e kampionatit më të fortë në botë.

Nëse oferta është e kënaqshme në aspektin financiar dhe atë sportiv, ndoshta Bogdani mund të vendosë që të largohet nga Seria A. Fulham njihet si një prej klubeve me të ardhura financiare më të larta në Britaninë e Madhe: ai zotërohet nga biznesmeni egjiptian Mohamed al-Fajed, pasuria e të cilit vlerësohet në afro 555 milionë sterlina.

Ekipi drejtohet nga trajneri i mirënjohur, Roi Hogson, i cili deri në vitin 2007 punonte si ambasador i Interit (ka drejtuar stolin e kampionëve të Italisë në vitin 1999). Drejtuesit kërkojnë t’i shtojnë repartit sulmues një tjetër emër të madh, përveç 28–vjeçarit Bobi Zamora. Ndërkohë, Hull Siti është një klub modest, por që me klasifikimin në vendin e dhjetë i ka mahnitur të gjithë.

Edhe pse ka histori 104-vjeçare (është krijuar në vitin 1904), sezoni 2008/’09 është i pari në Premiership. Ata janë një skuadër me profil të ulët, ku në kontingjent mund të spikaten vetëm irlandezi Kevin Kilbejn dhe holandezi Xhorxh Boateng, megjithatë në fushën e lojës luajnë si të barabartë me cilindo kundërshtar, pavarësisht emrit. Tjetër klub anglez që kërkon shërbimet e Bogdanit është edhe Birmingam Siti. Kjo skuadër është në garën për t’u rikthyer në elitë (momentalisht renditet e treta në Championship) dhe “Princi i Epirit” cilësohet si përforcimi ideal për të arritur objektivin.

Refuzimi

Së fundmi, Bogdani është distancuar nga zërat që e lidhnin të ardhmen e tij me Kuins Park Rejnxhërs (QPR). Klubi i zotëruar nga bosi i Renosë në Formula 1, Flavio Briatore, është “dashuruar” me lojtarin që prej verës. Sulmuesi shqiptar i realizoi QPR-së dy gola në miqësoren e zhvilluar në fillim të këtij sezoni me Kievon dhe pas asaj paraqitjeje ai u shndërrua në objektivin kryesor për repartin ofensiv.

“Erjon Bogdani ka mohuar transferimin te QPR-ja. Sulmuesi, i cili regjistron 47 ndeshje me fanellën e Kombëtares, duke shënuar 9 gola, kërkohej nga klubi që prej merkatos së verës, por ai ka mbyllur çdo mundësi transferimi”, theksonin burime pranë ekipit. “Pasi ka kaluar dhjetë vjet në kampionatin italian, lojtari duket se preferon ta mbyllë karrierën në këtë aktivitet”.

Vetëm pak ditë më parë, nëpërmjet menaxherit të tij, kuqeziu kishte refuzuar ofertën e Atalantës, duke preferuar të qëndrojë te Kievo, ku vazhdon të mos aktivizohet (edhe në sfidën e mesjavës me Leçen ka qëndruar në stol). Gjatë kësaj merkatoje, për Bogdanin ishin hapur edhe pista për kalimin te Roma ose Lacio, dy piaca shumë të rëndësishme në Itali. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk u realizua. Për 31-vjeçarin kanë shprehur interes edhe Rexhina e Siena në Serinë A dhe francezët e Grenobël.
 

Top Channel