Trofeu shkon për femrat e Tirana A.S

29/01/2009 09:25

Tirana A.S është fituesi i parë i të parit turne të kombëtar të futbollit për femra, të organizuar në vendin tonë nga Federata Shqiptare e Futbollit.

 Ekipi kryeqytetas, i drejtuar nga ish-futbollisti, Altin Rraklli, e ka mundur në finale skuadrën shkodrane të femrave, Jubani. Takimi është dominuar nga kryeqytetaset, të cilat e kanë mbyllur pjesën e parë në avantazhin e golave (2-0), për të shënuar edhe dy të tjerë në të dytën, duke e mbyllur kështu të gjithë ndeshjen me fitoren e thellë 4-0.

Në ceremoninë e dorëzimit të trofeut të këtij aktiviteti, kupën e dorëzoi presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili u uroi suksese skuadrave pjesëmarrëse, duke u premtuar mbështetjen e institucionit që ai drejton.

Numri një i institucionit më të lartë të futbollit në vend, premtoi se në të ardhmen do të zhvillohen edhe disa aktivitete promovuese të futbollit të femrave dhe FSHF është në përgatitje për të organizuar kampionatin e parë kombëtar për femra në të gjithë historinë e futbollit shqiptar.

Top Channel