Kuman kërkon mbrojtës përpara Shqipërisë

29/01/2009 09:45

Shqipëri-Hungari do të jetë ndeshja e parë e kuqezinjve në fushën e tyre për vitin 2009. Edhe pse sfida është ende larg, ku më parë të besuarit e Ari Han duhet të mendojnë për Maltën (më 11 shkurt në La Valeta), e njëjta gjë nuk mund të thuhet për kundërshtarët.

Trajneri Ervin Kuman është vënë dëshpërimisht në kërkim të mbrojtësve për përballjen e 28 marsit. Përpara se të vijnë në “Qemal Stafa”, hungarezët do të luajnë një miqësore me Izraelin dhe holandezi synon të testojë të gjitha opsionet në repartin difensiv.

Të shtunën e kaluar ai ndoqi nga afër formën e mbrojtësit Tamas Vasko. Skuadra e tij, Avelino, arriti të barazonte 0-0 në fushën e kryesuesve të Serisë B italiane, Livorno. Të martën, Kuman vëzhgoi edhe mbrojtësin e Plymauth Argiles, Krisztian Timar, i cili regjistron dy ndeshje me fanellën e Kombëtares.

29-vjeçari u aktivizua vetëm në 25 minutat e fundit të takimit që skuadra e tij humbi 2-0 me Bristol Sitin. Më 3 shkurt, drejtuesi i stolit hungarez pritet të vëzhgojë edhe një tjetër sfidë të Çempionshipit anglez, ku Kardif pret Uatfordin. Në këto skuadra luajnë mbrojtësi Gabor Giepes dhe sulmuesi Tamas Priskin. Hungaria renditet e dyta në Grupin 1 eliminator, me 7 pikë në katër ndeshje.

Top Channel