Elvir Muriqi zbret në Kosovë

29/01/2009 09:10

Federata Kosovare e Boksit (FboxK), në bashkëpunim me Federatën Austriake të Boksit, po punojnë për organizimin e një aktiviteti me pesë duele profesioniste, të cilat do të zhvillohen më 18 prill në Prishtinë.

Përballja kryesore e “Kosova Fight Night” do të jetë ai ndërmjet boksierit kosovar me nënshtetësi amerikane, Elvir Muriqi, dhe rusit me nënshtetësi ukrainase, Alesandro Garasçenko.

Muriqi, i cili po përgatitet për duelin e 14 shkurtit kundër anglezit Uds, në të kaluarën ka humbur një ndeshje me Garasçenkon dhe ky mund të jetë rasti i tij për të marrë hak para publikut kosovar. “Do të zhvillohen pesë duele profesioniste dhe do të marrin pjesë boksierë nga të tri trevat shqiptare, pra nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia”, ka pohuar Shpëtim Redo, menaxher në Federatën Austriake të Boksit.

Përveç “Kosovo Kid”, ai konfirmoi se në ring do të hipë edhe boksieri tjetër kosovar me nënshtetësi austriake, Shpëtim Shala. Shqipëria do të përfaqësohet nga Erjon Zeka, ndërsa Maqedonia nga Besnik Limani dhe Sefer Seferi.

Redo bëri të ditur se të ftuar në këtë spektakël, i cili do të ketë karakter humanitar, i pranishëm do të jetë edhe një delegacion nga Federata Austriake e Boksit, i kryesuar nga presidenti i këtij institucioni.

“Organizimi i kësaj mbrëmjeje boksi ka tri qëllime. Arsyeja e parë është për të treguar se boksierët kosovarë, edhe pse jetojnë dhe konkurrojnë jashtë vendit, mendojnë gjithmonë për atdheun. Qëllimi i dytë është për të forcuar lidhjet e Federatës Kosovare me Federatën Austriake dhe objektivi final është që përfitimet e mbledhura nga ky turne të ndahen për fëmijët jetimë. Pra ka karakter humanitar”, shtoi ai.

Ndeshjet do të fillojnë në orën 19:30 dhe do të paraprihen nga tri përballje amatore ndërmjet boksierëve kosovarë dhe atyre nga Mali i Zi, të cilat i ka organizuar Federata Kosovare e Boksit. Ende nuk është përcaktuar çmimi i biletave për tifozët, por organizatorët kanë premtuar se ai do të jetë i volitshëm për dashamirët e boksit.

Top Channel