Indrit Fortuzi, në krye të Skënderbeut

26/01/2009 10:25

Skënderbeu zgjedh një ish-lojtar të njohur të elitës së futbollit shqiptar për të ngjitur skuadrën në Kategorinë Superiore. Indrit Fortuzi është emëruar zyrtarisht në krye të stolit korçar, duke zëvendësuar të larguarin Renato Rrapo.

Lajmi konfirmohet nga kryebashkiaku i qytetit juglindor, Niko Peleshi, i cili bëri të ditur se të dielën ish-goleadori ka firmosur kontratën me klubin.

Fortuzi do të drejtojë Skënderbeun deri në fund të sezonit, ku objektivi i hedhur e zezë mbi të bardhë është rikthimi i skuadrës mes më të mirave. Nëse kjo realizohet, ish-sulmuesi kryeqytetas do të fitojë automatikisht të drejtën për rinovimin e marrëveshjes me bardhekuqtë.

Pasi vari “këpucët në gozhdë”, “Zogu” nuk u largua nga futbolli i luajtur, por ai filloi të punonte në stafin teknik të Tiranës, përkrah trajnerit Blazh Slishkoviç. Ndryshimi i stolit, ku te 23 herë kampionët u emërua Agustin Kola, bëri që drejtuesit bardheblu të largonin edhe Fortuzin.

Top Channel