Hofenfaimi, shansi i fundit për Ervin Skelën

26/01/2009 10:05

E ardhmja e Ervin Skelës me Energie Kotbus do të varet nga paraqitja e sfidës së parë të vitit 2009 në Bundesligë, e vlefshme për fazën e dytë të kampionatit.

Të shtunën, më 31 janar, fantazisti shqiptar dhe skuadra e drejtuar nga Bojan Prasnikar do të jenë të impenjuar në transfertën e vështirë në fushën e Hofenhaimit.

Një rezultat pozitiv, përballë skuadrës surprizë në Gjermani, e cila fitoi kurorën si “Kampione e Dimrit” shihet si një hap drejt mbijetesës. Për Skelën ky takim cilësohet edhe si shansi i fundit për të bindur drejtuesit e Kotbus që t’i rinovojnë kontratën.

“Ndoshta kjo ndeshje është shansi i fundit për mesfushorin 32-vjeçar që të përfitojë një kontratë të re”, theksonte sajti “sportal.de”, në analizën për ekipin që renditet i treti nga fundi në Bundesligë. “Kjo është arsyeja përse Skela duhet të japë më tepër dhe të vrapojë më shumë.

Trajneri Prasnikar e ka vendosur lojtarin nën presionin e publikut, duke e qortuar hapur. Gjithashtu, ai i ka dhënë edhe detyra të tjera taktike, ku shqiptari do të jetë më i pranishëm në aksionet sulmuese të Kotbus”. Skela është shprehur i gatshëm të luajë me Kotbus deri në fund të karrierës, por klubi kërkon të dijë nëse më parë skuadra do të qëndrojë në elitë, për të filluar bisedimet për rinovim.

Top Channel