Besart Berisha zbulon 11-shen e ëndrrave

26/01/2009 09:30

Nëse do të kishte mundësi për të vendosur, Besart Berisha e sheh veten duke luajtur përkrah dy prej legjendave të futbollit botëror: brazilianit Pele dhe gjermanit Franc Bekenbauer.

Mesfushori kuqezi zbulon formacionin e tij të ëndrrave, ku nuk mungojnë as shumë yje të tjerë të arenës ndërkombëtare, si portieri më i mirë në histori, Xhanluixhi Bufon, kapiteni i Romës, Françesko Toti, apo edhe “armiku” i Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2010, Kristiano Ronaldo, që në vitin 2008 fitoi trofeun “Topi i Artë” dhe çmimin e FIFA-s, “Lojtari i Vitit”.

23-vjeçari, i transferuar në merkaton e janarit te Horsens në formë huazimi nga anglezët e Bërnlit, u është përgjigjur pyetjeve të tifozëve danezë.

“Cilët do të ishin shokët e skuadrës, nëse do t’i përcaktoja unë? Ekzistojnë shumë futbollistë të mirë, por në skuadrën time ideale portier do të ishte padyshim Bufon. Në mbrojtje Bulahruz (Holandë) dhe Bekenbauer do të ishte në qendër, ndërsa brazilianët Kafu e Roberto Karlos në krah. Përveç meje në mesfushë (në krahun e majtë) do të ishin Kristiano Ronaldo, Françesko Toti dhe Rafael van der Vart, ndërsa sulmi do të përbëhej nga dyshja Diego Forlan-Pele”, deklaroi Berisha.

Më tej, lojtari i përfaqësueses ka folur edhe përse pranoi të transferohej te Horsens, që në këtë sezon lufton për të mbijetuar në Superligaen (Superliga daneze e futbollit).

Ai zbulon edhe një fakt mjaft interesant: “Rikthimi im te Horsens u realizua për shkak të lidhjes së fortë që kam me këtë skuadër. Vendimi ishte një zgjidhje e zemrës, pasi kisha edhe mjaft alternativa të tjera; skuadra që më siguronin të ardhura më të larta. Jam mjaft i lumtur që do të vesh sërish fanellën e verdhë dhe që u ktheva në këtë qytet. Kam shumë kujtime të bukura prej aventurës sime me Horsens”.

Berisha deklaroi se nuk ndihet aspak nën presion prej faktit se shihet si “shpëtimtari i skuadrës”. Mesfushori e ka të qartë objektivin personal: realizimin e sa më shumë golave, për të ndihmuar klubin që të vazhdojë të luajë në elitë.

“Të gjithë presin shumë prej meje, por jam ai lloj lojtari që nuk ndikohet nga presioni. Duhet të konfirmohem në çdo ndeshje, të kontribuoj për skuadrën dhe jam i gatshëm për këtë sfidë të re, shtoi kuqeziu. Loja dhe golat e mi do të vihen në shërbim të skuadrës, për ta ndihmuar Horsens të mbijetojë. Gjithsesi, e pranoj se do të më nevojitet mbështetja e tifozëve. Çfarë mund t’i jap ekipit? Shpresoj sa më shumë energji dhe gola, që të evitojmë rënien nga kategoria. Nëse për të arritur këtë objektiv do të më duhet të shpallem golashënues, unë do të sakrifikoj. Megjithatë, skuadra është më e rëndësishme se golat, edhe pse është një ndjesi shumë e bukur kur përshëndet rrjetën”.

Në fund shqiptari pohoi: “Nëse Horsens do të vazhdojë të luajë në Superligen edhe pas këtij edicioni, nuk e përjashtoj mundësinë që të vazhdoj të luaj këtu. Nëse paraqitem mirë në këta gjashtë muaj, ekzistojnë shanset që të firmos një kontratë të përhershme. Më pëlqejnë klubi, skuadra, tifozët dhe stadiumi. Një ditë dëshiroj të fitoj një titull me një klub të vogël, kjo është ëndrra ime”.

Top Channel