Trajneri: Skela duhet të vrapojë më shumë

23/01/2009 10:30

Kritika për mënyrën e stërvitjes së Ervin Skelës. Është trajneri i tij tek Energi Kotbuz, Bojan Prasnikar, ai që nuk e kursen kur i duhet të bëjë një analizë rreth përgatitjes së shqiptarit në këtë minifazë dimërore.

Këtë e ka bërë në një intervistë të dhënë në një nga të përditshmet gjermane, që më pas do të citohej nga “Goal.com” (versioni gjermanisht).

“Ajo që ai ka treguar deri tani ka qenë mjaft e pakët, ka nënvizuar tekniku i skuadrës së Bundesliga. Ai duhet të vrapojë më shumë se në fazën e parë, këtë pres unë nga ai. Pastaj, sigurisht që do të vijë edhe forma dhe rrezikshmëria për të shënuar golat e zakonshëm të tij”.

Kjo kritikë cinike në drejtim të Skelës vjen në një moment të vështirë për lojtarin, i cili është në prag të rinovimit të kontratës me klubin e Energi Kotbuz. Vetëm dy ditë më parë ishin vetë drejtuesit më të lartë të skuadrës ata që konfirmonin se tratativat janë në vazhdim, ndërkohë që për momentin duken ende shumë larg gjetjes së një gjuhe të përbashkët.

Pengesë është bërë fakti se Skela kërkon një rinovim 2-vjeçar të kontratës, ndërsa klubi ofron një kontratë, e cila do të vlerësohet në bazë të paraqitjeve.

Top Channel