Dinamo, rikthehet sulmuesi Sebino Plaku

21/01/2009 10:20

Sebino Plaku është zyrtarisht lojtar i Dinamos. Klubi kryeqytetas ka arritur marrëveshjen me norvegjezët e Ham Kamit për blerjen e sulmuesit 23-vjeçar.

Akordi erdhi pasi blutë pranuan të paguanin 170 mijë euro në arkat e klubit norvegjez, me të cilën lojtari ka zhvilluar vetëm një ndeshje në vitin 2008.

Në ditët e para të janarit, Plaku ishte larguar nga Dinamo, pasi huazimi i tij nga Ham Kami përfundoi, por drejtuesit e klubit kryeqytetas kishin deklaruar në shumë raste se prioriteti në këtë merkato dimri ishte rikthimi i sulmuesit. Kjo edhe pas kërkesave të trajnerit Slatko Daliç, i cili nuk dëshironte të humbiste golashënuesin më të mirë të skuadrës (8 rrjeta të realizuara në 17 javët e para të Superiores) në gjysmë të sezonit.

Aq më tepër tashmë, që blutë janë afruar ndjeshëm me kreun: kampionët në fuqi të Shqipërisë renditen në vendin e tretë, me 29 pikë, pesë më pak se Vllaznia kryesuese dhe një më pak se Tirana e vendit të dytë. Nesër sulmuesi pritet t’u bashkohet dinamovitëve në Kemer të Turqisë, e do të stërvitet për dy ditë në kampin përgatitor të skuadrës.

Rikthimi i Plakut mund të sjellë largimin nga kontingjenti të argjentinasit Mario Antonio Romero, i cili po testohej me ekipin. Me zyrtarizimin e Sebino Plakut, e me dy blerjet e reja të janarit (argjentinasit Ruben Çeko dhe Elis Bakaj), reparti ofensiv quhet i kompletuar.

Për pjesën e mbetur të sezonit, në skuadrën e Daliç nuk do të jetë kroati Frane Petriçeviç, i cili realizoi vetëm një gol në Shqipëri. Ndërkohë, sot blutë do të zhvillojnë një tjetër ndeshje miqësore në tokën turke, me një tjetër kundërshtar të huaj, pas kazakëve të Tarazit. Përballë Dinamos do të jenë ukrainasit e Odesas.

Top Channel