“Bilbil” holandez për sfidën Shqipëri-Hungari

21/01/2009 10:25

Sfida Shqipëri-Hungari, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010, do të drejtohet nga një gjyqtar holandez.

 Për koincidencë, FIFA ka përcaktuar “bilbilin” Bjorn Kuipers, për të drejtuar duelin “portokalli”, ku skuadra e drejtuar nga Ari Han do të luajë përballë ekipit të drejtuar nga holandezi tjetër, Ervin Kuman.

Institucioni që drejton futbollin botëror ka dërguar dje një faks në Federatën Holandeze (KNVB), ku komunikonte se Kuipers duhet të jetë në “Qemal Stafa” më 28 mars. 35-vjeçari është një prej gjyqtarëve më të mirë në Holandë dhe përveç arbitrimit në “Eredivisie” (Ligën elitare në Holandë) ka arbitruar edhe në finalen e Kampionatit Evropian Under-17 në vitin 2006 dhe disa ndeshje të Kupës UEFA.

Kuipers ka marrë stemën si gjyqtar i FIFA-s në moshën 33-vjeçare. Aktualisht, kuqezinjtë kanë 5 pikë në Grupin 1 (sa Portugalia) dhe renditen të katërtit pas katër ndeshjeve, ndërsa Hungaria është e dyta me 7 pikë, aq sa edhe Danimarka kryesuese.

Top Channel