Tare, shuplakë Zarates në sfidën me Juventusin

20/01/2009 10:15

Igli Tare vazhdon të jetë protagonist te Lacio. Ish-sulmuesi shqiptar e ka marrë shumë seriozisht detyrën e tij si menaxher i skuadrës në klubin bardhekaltër, aq sa nuk toleron që asnjë nga lojtarët të ketë pretendime.

Barazimi 1-1 në sfidën me Juventusin e ka kënaqur përgjysmë skuadrën, që tashmë duhet të përballet me problemin Zarate.

Sulmuesi argjentinas, i cili është një prej surprizave të këtij edicioni në Serinë A, nuk mbeti i kënaqur nga zëvendësimi i trajnerit Delio Rosi. Ashtu si përpara pushimeve të Vitit të Ri në sfidën me Palermon, edhe në fundjavën që kaloi Zarate e ka kontestuar vendimin, duke i thënë trajnerit se “përse më ndërron gjithmonë mua?” Pas këtyre fjalëve, lojtari u ul në stol, por aty është përballur me Igli Taren.

Sipas gazetës më të madhe sportive në Itali, “Gazzetta dello Sport”, ish-kapiteni i Shqipërisë i ka folur shumë ashpër lojtarit, duke i drejtuar gishtin gjatë gjithë debatit.

“Në fund ai e ka goditur edhe me një shuplakë në fytyrë”, theksonte e përditshmja. Megjithatë, i pyetur rreth këtij episodi, menaxheri i skuadrës e ka përgënjeshtruar në mënyrë të prerë faktin që ka përdorur duart ndaj Zarates.

Episodi ka sjellë reagimet e ndryshme të tifozëve, ku tashmë disa kërkojnë largimin e Tares, ndërsa të tjerë mendojnë se ai veproi drejt me sulmuesin, që paraqet gjithmonë e më shumë sjelljen e një adoleshenti.

Top Channel