Rekordet, Ja blerjet milionere

17/01/2009 09:55

Ju propozojmë historinë e goditjeve më të bujshme në merkato. Shifra stratosferike, ato që bëjnë më shumë efekt. Vlerësimi përtej murit të logjikës, çmime marramendëse, oferta të çmendura.

 Ku ofron më shumë? 120 miliardë lireta baras me shifrën aktuale të rreth 76 milionë euro, të nxjerra nga Reali i Madridit për Zinedin Zidan në verën e vitit 2001.

Të gjitha përfunduan në arkën e Juves. Është ai i Zizusë, transferimi më i kushtueshëm në historinë e futbollit botëror. Ishin vitet e portofolave të fryra, në merkato flitej me miliarda, paratë xhironin për të gjithë, dukej se “lumi” nuk do të mbaronte kurrë.

Një vit më parë, Real i “Galaktikëve” i paguante Barcelonës rreth 55,8 milionë euro aktuale për Luis Figon, ndërsa Hernan Krespo kalonte nga Parma te Lacio për 53,6 milionë. Ky është podi i “import-eksportit” të këmbë diamanteve. Në fundin e vitit, 2000 Bufon kalonte nga Parma te Juventus për 49,2 milionë. Në fakt, ka pasur transferime që kanë bërë epokë. I pari që rrëzoi murin e 100 milionë liretave ishte Hase Xhipson në 1952: te Napoli e thërrisnin me shaka “o Banco ’e Napule” (“Banka e Napolit”).

U bë skandal në 1975, ku Napoli dha 2 miliardë lireta për Bepe Savoldin. Por më pas gjithçka ndryshoi, merkato nisi fluturimin. Në 1997-ën Lacio derdhi 93 miliardë lireta për Mendietën. Ishte koha e fenomeneve dhe Interi derdhi 48 miliardë lireta për Ronaldon, për ta shitur në 2002 për 43 milionë euro.

Rio Ferdinand është mbrojtësi më i shtrenjtë në botë: për 43,9 milionë euro nga Lids te Mançester Junajtit. Ky i fundit derdhi 30,2 milionë euro te Evertoni për 17-vjeçarin Uejn Runi. Dukej një çmenduri, por nuk ishte. Goditja e fundit e bujshme ishte ajo e verës së fundit: Robinjo nga Real te Mançester Siti për gati 52 milionë euro.  
 

Top Channel