Bylykbashi: Me Milanin,që të më thërrasin në Kombëtare

16/01/2009 09:25

Po shkëlqen në Ukrainë, është kapiteni i skuadrës së tij, Krivbas, dhe njëkohësisht edhe idhulli i tifozerisë së këtij ekipi.

 Por, për çudi, emri i tij vazhdon të mungojë në listat e Kombëtares, të përpiluara nga trajneri holandez, Ari Han. Bëhet fjalë për Dorian Bylykbashin, ish-futbollistin e Elbasanit, Partizanit e Vllaznisë, që prej tri sezonesh luan në një nga kampionatet më të forta të vendeve të lindjes.

Në Ukrainë gjen një përkrahje, respekt dhe interesim pozitiv të jashtëzakonshëm nga të gjithë, por e pranon se aktivizimi në përfaqësuese i mungon shumë. I ndodhur në Antalia, ku skuadra e tij Krivbas po zhvillon fazën përgatitore të dimrit, edhe vetë futbollisti shprehet i habitur për një gjë të tillë, madje mundohet edhe ta ironizojë këtë situatë, e cila në të vërtetë mund të duket edhe absurde.

“Është interesante, sepse as unë nuk di ta shpjegoj përse nuk më thërrasin në Kombëtare?!”, ka nënvizuar vetë Bylykbashi në një prononcim të tij për faqen sportive “Albaniasoccer.com”. “Mua personalisht më mungon shumë Kombëtarja. Dua të luaj për të, por kur nuk jam i mirëpritur prej drejtueseve të saj.

Nuk i bihet murit me kokë. E vetmja gjë që nuk kuptoj është: Përse?! Kuptohet, ajo është një pyetje retorike, përgjigjen e së cilës e di vetëm trajneri, por unë thjesht dëshiroj të di arsyen, që edhe unë të jem në gjendje t’i jap një përgjigje vetes time.

Me trajnerin Han, apo me drejtuesit e federatës, unë nuk kam biseduar asnjëherë rreth këtij problemi dhe nuk e kemi kontaktuar njëri-tjetrin. Ndoshta duhet të firmos për Milanin që të më grumbullojnë, ndonëse edhe atëherë nuk i dihet”, thekson Bylykbashi.

Ndërkohë që nuk harron të flasë edhe për objektivat e skuadrës së tij në kampionatin ukrainas. “Në fund të sezonit dëshirojmë të renditemi mes 6 skuadrave më të mira të kampionatit ukrainas. Është e vështirë, por jo e pamundur, pasi skuadra i ka mundësitë dhe elementet, sepse është e përbërë nga lojtarë me nivel”, përfundon shqiptari i Krivbas, i cili pas përfundimit të fazës përgatitore, përpara rikthimit në Ukrainë, pritet të vizitojë vendlindjen dhe familjen për disa ditë.

Top Channel