Bogdani, oferta nga gjysma e Serisë B

16/01/2009 09:15

Erjon Bogdani vazhdon të jetë një prej lojtarëve më të lakmuar në Itali gjatë merkatos së janarit.

Pasi është venitur mundësia për transferimin te Roma, kërkesat për shërbimet e sulmuesit vazhdojnë të jenë të mëdha. Sipas burimeve pranë Kievos, “në gjurmët e shtatlartit shqiptar janë gjysma e skuadrave që militojnë në Serinë B (kategorinë e dytë italiane), por sulmuesi duket se nuk do të nxitohet në zgjedhjen për të ardhmen e tij”.

Për 31-vjeçarin nuk mungojnë as ofertat jashtë Italisë, por deri më tani duket se asnjëra prej alternativave nuk e ka bindur, pasi ai synon të luajë në nivele të larta. Vetëm pak kohë më parë Bogdani deklaronte: “Do të largohem nga Verona vetëm për Romën, ose ndonjë skuadër tjetër të rëndësishme.

Në të kundërt do të respektoj kontratën që kam me Kievon”. Në fakt, vendimi për t’u transferuar në një tjetër skuadër i takon vetëm kuqeziut, i cili shihet si opsion i mirë në repartin ofensiv edhe nga Bolonja e Palermo. Pavarësisht kësaj, Kievo po studion merkaton, në kërkim të një sulmuesi dhe alternativat nuk mungojnë. Në rast të largimit të Bogdanit, kontingjentit të trajnerit Di Karlo mund t’i shtohet Simone Inzagi, vëllai i të mirënjohur Filipo Inzagi, ndërkohë që në krye të listës qëndron Makinua i Lacios.

Top Channel