Rijeka shikon te Teli liderin e mbrojtjes

15/01/2009 09:35

Admir Teli pritet me shumë entuziazëm te skuadra e tij e re, kroatët e Rijekës, ku do të duhet të kalojë 6 muajt e ardhshëm të pjesës së dytë të sezonit.

Është shtypi kroat ai që e ka bërë të njohur dje një gjë të tillë. Qendërmbrojtësi shkodran, i cili pjesën e parë të këtij edicioni e ka kaluar në kampionatin turk te skuadra e Haxhetepe, shikohet si lideri i ardhshëm i mbrojtjes së ekipit kroat.

Për drejtorin teknik të Rijekës, Marijo Rubesha, një lojtar si Teli do të jetë një përforcim shumë i mirë për klubin e tij, i cili do të riparojë kështu një nga repartet e evidentuara si problematike në fazën e parë.

“Mbrojtësi shqiptar, Admir Teli, që pritet të vijë nga klubi turk Haxhetepe, është një hap larg prej nesh, ka thënë dje drejtori teknik i kroatëve, Rubesha, për gazetën vendase “Jutarnji Listin”. Tek ai shikojmë liderin e ri të mbrojtjes sonë në të ardhme. Telin e ndoqa në ndeshjen e kupës UEFA dhe ai do të jetë përforcim.

Ndërkohë që vetë gazetari kroat komentonte me ardhjen e Telit, trajneri Rubçiç përforcon mbrojtjen. Një tjetër mbrojtës që synohet nga Rijeka është edhe maqedonasi Vanço Trajanov, por ardhja e tij nuk është e sigurt.

Top Channel