Milan e Fiorentina, në gjurmët e Migjen Bashes

13/01/2009 10:10

Një tjetër yll kosovar ka filluar të shkëlqejë në futbollin ndërkombëtar. Bëhet fjalë për Migjen Bashën, që me paraqitjet e shkëlqyera me fanellën e Riminit në Serinë B, ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave nga elita e futbollit italian.

Mes ekipeve të interesuara për shërbimet e mesfushorit janë edhe gjigantët e përtej Adriatikut, Milan e Fiorentina. Këtë e ka konfirmuar kosovari me pasaportë zvicerane, i cili është shprehur i befasuar për interesimin e treguar nga 7 herë kampionët e Evropës dhe klubit toskan.

“Të shtunën, menaxheri më tregoi se për shërbimet e mia kanë shprehur interes Milani e Fiorentina. Jam befasuar kur e mësova këtë gjë”, ka thënë Basha për kosovaren “Express”. Megjithatë, sipas 21-vjeçarit, përveç kuqezinjve dhe ekipit nga Firence, në gjurmët e tij janë edhe disa klube të tjera nga Seria A. “Të interesuar për mua janë edhe Palermo, Leçe, Rexhina, Katania e Bolonja”, theksoi lojtari, i cili është pjesë e përfaqësueses U-21 të Zvicrës.

Ish-mesfushori i Viarexhos ka kontratë deri në vitin 2011 me ekipin e Riminit. Por, Basha nuk e përjashton mundësinë e largimit nga stadiumi “Romeo Neri” gjatë merkatos së janarit.

“Rimini pretendon shumë para për kartonin tim. Por nëse në adresë të tyre vjen ndonjë ofertë e kënaqshme nga klubet e interesuara, atëherë ka gjasa që gjatë janarit të largohem nga kjo skuadër drejt një klubi elitar në Itali”, theksoi ai. Nëse kalimi në një prej skuadrave të interesuara nuk realizohet gjatë kësaj periudhe, objektivi i Bashës është që së bashku me Riminin të qëndrojë në Serinë B.

“Nëse mbetem te Rimini, synim kryesor është të mbijetojmë në këtë ligë. Por, nëse na jepet shansi, do të mundohemi që të arrijmë një vend për ‘play-off’, edhe pse për momentin jemi larg kësaj zone”, tregon kosovari.

Pas 20 ndeshjeve në kategorinë e dytë italiane, Rimini ndodhet në vendin e 14-të, me 23 pikë të grumbulluara: aq sa edhe Ankona e Frozinone. Basha është transferuar në radhët e Riminit gjatë dimrit të vitit të kaluar nga skuadra italiane, Viarexho. Edhe pse në moshë ende të vogël, ai ka luajtur për disa ekipe, duke u përfaqësuar me ngjyrat e italianëve të Lukezes dhe zviceranëve të Luzanë-Sport, ku aktualisht aktivizohet vëllai i tij i vogël, Vullneti.

Top Channel