Maho në stërvitje, pritet Bakalli

13/01/2009 10:35

Situata te Partizani duket më e qetë se kurrë, pavarësisht faktit se dita e djeshme ishte afati i fundit që lojtarët i kishin vendosur presidentit Albert Xhani për rrogat e prapambetura.

Madje, në stërvitjen e së hënës, nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro, ka qenë ish-lojtari i Kallamatës në Greqi, Rezart Maho.

Mesfushori është një njohje e vjetër e kampionatit shqiptar, pasi më parë ka luajtur me Dinamon, Shkumbinin, Apoloninë e disa skuadra të tjera. Përveç 24-vjeçarit, te Partizani pritet edhe afrimi i Egert Bakallit: mesfushori është lënë i lirë nga Elbasani dhe skuadra kryeqytetase duket destinacioni më i mundshëm.

Afrimet bëhen në një kohë kur nga skuadra pritej “eksodi” i radhës, por për të qetësuar situatën shërben konfirmimi i Xhanit, se askush nuk do të largohet prej problemeve financiare.

I vetmi që mund të ndërrojë skuadër është Rrahman Hallaçi. Ndërkohë, tekniku Duro beson se skuadra është e kompletuar në të gjitha repartet dhe tashmë i nevojitet vetëm një sulmues si alternativë e Marius Ngjelës.

Top Channel