Igli Tare: Bundesliga, më e mirë se Seria A

13/01/2009 10:00

Ka vetëm pak kohë që ka kaluar prapa skrivanisë dhe seriozitetin e tij në punë tashmë e shpreh edhe me fjalë, madje krejt i lirshëm deri në shkujdesje.

Bëhet fjalë për Igli Taren, ish-futbollistin e kombëtares shqiptare dhe të Lacios, i cili i vari këpucën në gozhdë për t’u bërë menaxher i skuadrës së kryeqytetit italian.

Biondi shqiptar është përfshirë në krahasimet e shumta dhe të shpeshta që i bëhen kampionatit italian të futbollit me ato evropiane, si Premier League, La Liga, apo edhe Bundesliga.

Madje, për habi të të gjithëve, ai ka përmbysur edhe klasifikimin e kampionateve më të mira të botës, të stiluar vetëm pak javë më parë nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave Sportive (IFFHS): kryeson Premier League, pas së cilës vijnë Italia, Argjentina, Spanja, Brazili, Gjermania, Franca etj. Ish-futbollisti shqiptar është prononcuar në mikrofonat e “Tutti in Campo”, ku ka analizuar situatën e Lacios në veçanti dhe atë të futbollit italian në përgjithësi.

Duke qenë se në karrierën e tij ka pasur eksperiencë në kampionatin gjerman të futbollit, ku ka luajtur me Kaiserslauternin, por edhe në atë italian, gazetari i ka drejtuar një pyetje në lidhje me diferencën e mundshme mes Bundesligës dhe Serisë A. “Në Gjermani përjetohet një futboll krejtësisht i ndryshëm. Atje ka struktura më të mira dhe luhet një futboll më i thjeshtë e më i bukur për t’u parë.

Futbolli në Itali është thjesht i vështirë”. Me këtë përgjigje ai i ka hapur oreksin gazetarit, i cili e ka ngacmuar edhe në lidhje me fituesin e mundshëm të titullit në Bundesligë, Bajerni apo Hofenhajmi? “Bajern ka një organikë të mirë dhe mendoj se ka më shumë mundësi për ta fituar titullin.

Hofenhajm është një zbulim, i cili po argëton jo vetëm sportdashësit gjermanë”. Po ashtu Tare ka folur edhe për fenomenin “Hofenhajm” dhe arsyet pse skuadrat e vogla në Itali nuk arrijnë të mbajnë ritmin e të mëdhenjve të Serisë A. Sipas menaxherit shqiptar të Lacios, “te Hofenhajmi ka drejtues, që gjatë këtyre viteve kanë ndërtuar një realitet të konsoliduar e të fortë.

Trajneri është i njëjti që prej katër sezonesh dhe puna po jep frytet e saja më të mira në këtë sezon. Kanë një stadium nga më të mirët, struktura të rëndësishme dhe një president shumë të pasur”, ka nënvizuar Tare. Gjithashtu, në prononcimin e tij, Tare ka folur edhe në lidhje me punën e tij si menaxher i skuadrës laciale dhe për situatën në të cilën ndodhet skuadra, e cila pretendon të arrijë një vend për në Evropë.

“Sigurisht, objektivi ynë është të kthehemi të luajmë në një kompeticion evropian. Lacio është një klub i rëndësishëm, me një histori të madhe. Kjo do të thotë t’u kthejmë tifozëve dimensionet reale të këtij klubi”, thekson ai.

Ndërkohë që ka shuar edhe kuriozitetin e të gjithë atyre që pyesin se si mundi të kalonte nga fusha te skrivania si drejtues i Lacios në kaq pak kohë. “Për çdo lojtar vjen një moment për të varur këpucët në gozhdë, rrëfen Tare. Unë kam pasur fatin ta merrja këtë propozim të rëndësishëm nga presidenti Lolito dhe nuk u mendova dy herë e pranova”.

Top Channel