Elvin Beqiri firmos për 1 vit me Vllazninë

13/01/2009 10:25

Elvin Beqiri zgjedh Vllazninë. Pas disa ditësh pritjeje dhe bisedimesh me drejtuesit e klubit, mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka hedhur firmën në kontratën 1-vjeçare të propozuar nga kuqeblutë.

Sipas marrëveshjes së re, ai do të qëndrojë me ekipin e Agim Canajt deri në janar të vitit 2010, megjithatë, situata mund të ndryshojë në rast të ofertave nga jashtë.

Në kontratë ekziston një klauzolë, sipas së cilës lojtari mund të largohet pa i shlyer Vllaznisë asnjë detyrim, në rast se klube joshqiptare kërkojnë shërbimet e tij. Ishte pikërisht kjo pikë, ajo që vonoi edhe hedhjen e firmës në dhjetëditëshin e parë të këtij muaji.

“Pas bisedimeve me presidentin Fushaj sot (dje) gjetëm marrëveshjen dhe e rinovova edhe për një vit në Shkodër”, pohoi Beriqi. “Vllaznia është skuadra e vetme me të cilën mund të luaj në Superiore, por nëse më vijnë oferta të mira nga jashtë vendit, kam mundësi të largohem që prej kësaj merkatoje, ose gjatë verës”. Në të kundërt, lojtari synon titullin e dytë në Shkodër, pas trofeut të sezonit 2000/’01.

Top Channel