Një ish-kampion bote, “arma” e Elvir Muriqit

12/01/2009 10:15

Elvir Muriqi zotëron një “armë vdekjeprurëse” për të fituar të drejtën që të bëhet sfidant për titullin botëror në versionin IBF.

Përkrah “Kosovo Kid”, i cili do të duelojë më 14 shkurt në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ish-kampioni i botës në peshën gjysmë të rëndë, Xhejms “Badi” MekGrit.

Aktualisht Muriqi po vazhdon përgatitjet për duelin me britanikun Klinton Uds në Majami, ku po stërvitet me MekGrit, që në vitin 2002 ka fituar çmimin si “Trajneri i Vitit” nga Shoqata Amerikane e Boksit. Përveç ish-boksierit të njohur, në seancat stërvitore të Muriqit për sfidën eliminatore që do të zhvillohet në “Hotel de France”, asiston edhe trajneri tjetër, Çelo Betankort.

Sipas personave të afërt me stafin teknik, Muriqi është “në formë të jashtëzakonshme” dhe i ka të gjitha kartat në rregull për t’u ngjitur edhe më shumë në klasifikimin botëror të versionit IBF, ku aktualisht ndodhet në vendin e 14. Nëse fiton përballë Uds, askush nuk do të mund ta frenojë kosovarin nga synimi për të qenë sfiduesi i Çad Dovson, i cili mban brezin e kampionit IBF.

Promotori i Muriqit, Bred Jakobs deklaroi: “Gjithçka po shkon më së miri në përgatitjet e Elvirit. Në të kaluarën ‘Badi’ ka qenë kampion i botës dhe ai është padyshim një prej trajnerëve më të mirë në qarkullim”. Më tej, Jakobs foli për formën fizike të “Kosovo Kid”: “Sipas asaj që më kanë thënë trajnerët e Elvirit, djaloshi gëzon një formë të jashtëzakonshme fizike. Kjo as që nuk mund të vihet në diskutim. Jemi të bindur se Muriqi i ka të gjitha shanset që të fitojë”.

Top Channel