Kola, mediat “non grata” në stërvitje

12/01/2009 10:45

Trajneri Agustin Kola i ka deklaruar “luftë” mediave. Pas incidentit ku drejtuesi i stolit bardheblu goditi gazetarin e “Panorama Sport”, asnjë njeri i shtypit nuk është i mirëpritur në stërvitjet e Tiranës.

Kjo është konfirmuar dje në mesditë, në seancën e radhës së 23 herë kampionëve. Kola nuk ka treguar asnjë shenjë pendimi për episodin e paprecedent të së shtunës, përkundrazi ai është dukur i bezdisur nga prania e gazetarëve në ambientet e klubit.

Me ton të ashpër, tekniku i ka kërkuar punonjësve të klubit që t’i largonin nga fusha, duke i penguar që të bënin detyrën e tyre.

Ndërkohë, shefi i klubit bardheblu, Eduard Gjini, ka konfirmuar se rreth ngjarjes së fundjavës, ku u godit dhe u ofendua një gazetar, Tirana do të mbajë një qëndrim zyrtar.

Sot zyrtarët pritet të dalin në një konferencë për shtyp, ku nuk përjashtohet mundësia që klubi t’i “këshillojë” trajnerit Agustin Kola (kundër dëshirës së tij) që të kërkojë falje publike. Episodi, i cili iu shtua ngjarjeve të shëmtuara në sportin më popullor në vend, është denoncuar në policinë e kryeqytetit.

Top Channel