Elvin Beqiri mban Shkodrën në ankth

12/01/2009 09:55

Vllaznia në ethet e merkatos. Pas paraqitjes së mirë në gjysmën e parë të sezonit, kryesuesit e Kategorisë Superiore po përforcojnë kontingjentin, ndërkohë që janë në bisedime për të zgjidhur situatën e mbrojtësit Elvin Beqiri.

Lojtari i përfaqësueses shqiptare po mban në ankth Shkodrën, sepse e ardhmja e tij me fanellën kuqeblu ende nuk është e sigurt. 27-vjeçari synon të transferohet në një tjetër kampionat më të fortë evropian dhe është në pritje të ofertave nga klubet kontinentale. Megjithatë, Beqiri pohon se nëse transferimi nuk do të realizohet në janar, Vllaznia dhe gara për titullin kampion mbeten objektivat e tij.

“Jam ende në fazë bisedimesh me drejtuesit e klubit shkodran, por ende nuk kemi arritur asnjë marrëveshje konkrete”, deklaroi Beqiri për “Shqip”. “Me presidentin Fushaj synoj të gjej një marrëveshje me klauzolë largimi në rast se kam oferta nga jashtë vendit. Nëse këto oferta nuk vijnë deri më 31 janar (kur mbyllet merkatoja e dimrit), atëherë do të qëndroj te Vllaznia. Lufta për titull? Natyrisht që do të më pëlqente të fitoja një tjetër kampionat me Vllazninë, pas atij të sezonit 2000/01”.

Sukaj

Dje në Shkodër është bërë edhe prezantimi i Xhavahir Sukajt. Ish-sulmuesi kuqeblu u rikthye nën urdhrat e trajnerit Agim Canaj në formë huazimi për gjashtë muaj nga turqit e Haxhetepes.

Pasi firmosi kontratën, lojtari i Kombëtares kuqezi u shpreh i kënaqur, edhe sepse tashmë ka shanse reale të shpallet kampion i Shqipërisë. Sukaj deklaroi: “Jam shumë i kënaqur që u riktheva te skuadra ime e zemrës. Ia vlen që çdo kohë të luash për Vllazninë dhe për Shkodrën. Kam ardhur te kuqeblutë me qëllimin e vetëm për t’u shpallur kampion. Gjatë sezonit të kaluar me këtë skuadër kam fituar Kupën e Shqipërisë, ndërsa sivjet kam shansin për të marrë edhe titullin kampion”.

Merkato

Bashkëpunimi i Vllaznisë me Haxhetepen do të vazhdojë. Përveç Sukajt, nga skuadra që renditet e fundit në Superligën turke pritet të vijë edhe një mbrojtës ganez. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Adamu Mohamed, i cili në vitin 2006 ka luajtur me Gençlerbirliginë.

“Sponsori” i tij për t’u transferuar në Shkodër është sulmuesi Xhejms Boadu, i shndërruar në një prej pikave të forta të skuadrës. Mohamed pritet të jetë i gatshëm për skuadrën që prej sfidës së parë, ku Vllaznia luan me Shkumbinin.

Duke qëndruar te mbrojtësit, kuqeblutë janë ende në pritje të përgjigjes nga Admir Teli: edhe ai do të largohet për gjashtë muaj nga Haxhetepe në formë huazimi. Megjithatë, për mbrojtësin 27-vjeçar interesohen kroatët e Rijekës, të cilët shprehen se marrëveshja është praktikisht e arritur. Sajti “rijekadanas.com” citonte: “Rijeka është destinacioni më i mundshëm për lojtarin, vlera e të cilit në merkato shkon në afro 1 milion euro”.
 

Top Channel