Pezullimet, përplasje me Teknikët. MAS: Sekretari ynë pengon denoncimet

09/06/2017 00:00

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina kërkon pezullimin e menjëhershëm të drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Rajonale Vlorë, Albana Hodaj.

Edhe ky pezullim ka të bëjë me angazhimin e zyrtares arsimore në fushatë elektorale. Por ministria bën me dije se jo vetëm në këtë drejtori por edhe në të tjera në vend janë konstatuar presione të imponuara nga ana e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca.

Sipas ministrisë, Ndreca nuk po bashkëpunon për denoncimet e ministres së Arsimit dhe Sportit pranë organeve të prokurorisë në rrethe, por për më tepër vijon të pengojë duke ushtruar presion konstant në administratën e MAS.

Por, i kontaktuar me telefon zoti Ndreca deklaron se ministrja teknike e Arsimit ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin për nëpunësin civil, duke nxjerrë një akt i cili nga ana juridike është nul dhe i pavlefshëm.

Sipas zotit Ndreca, pezullimi i nëpunësit civil bëhet nga një komision disiplinor dhe jo nga ministri. Ndreca thekson se ministrja duhet të distancohet nga intimidimi punonjësve të administratës publike nëpërmjet këtyre akteve të paligjshme.

Ai deklaron se zonja Hodaj është në detyrë dhe do të vazhdojë të jetë përsa kohë nuk është konstatuar shkelje e detyrës e bazuar në një proces të rregullt ligjor. Në lidhje me denoncimin publik të bërë ndaj tij Ndreca sqaron se kjo është një sjellje aspak institucionale e ministres teknike të Arsimit.

Deklarimet publike sipas tij nuk mund të zëvendësojnë procedurat ligjore. Institucioni funksionon mbi rregula të shrkuara dhe jo mbi deklarat publike.

Ndërkohë ministrja e Mirëqënies Sociale, Kërtusha ka kërkuar shkarkimin e drejtorit rajonal të sigurimeve shoqërore në Elbasan. Sipas saj, ka fakte që provojnë se punonjësi ka qenë në fushatën e PDIU-së gjatë orarit të punës.

Top Channel