Mësuesja me paterica, pa punë dhe pa mundësi për kurim

13/04/2017 00:00

Që prej lindjes, 56-vjeçarja Dituri nga Zhulati i Gjirokastrës, vuan nga sëmundje e skeletit që i krijon vështirësi në lëvizje ndaj gjithnjë ka ecur me patericë ose shkop.

Punën si mësuese e la kur gjendja iu përkeqësua. U trajtua një vit me ndihmë, por pas ndërprerjes iu mohua edhe rikthimi në arsim me justifikimin se i mungonte masteri.

“Unë kërkoj KEMP-in pasi nuk mund të eci në punë apo të qëndroj për një kohë të gjatë. Meqenëse KEMP-i nuk me jepet, kërkoj që të rikthehem në punë si mësuese. Por më kanë thënë vazhdo masterin, por edhe mesuesit pa master janë këtu”, thotë ajo.

Mjekët thonë se dituria duhet të kualifikohet si invalide.

“Personat e aftë për punë nuk mund të trajtohet nga shërbimi social, por nga sigurimet shoqërore. Prandaj, rasti në fjalë është dërguar për saktësi në KEMP-in epror, është parë dokumentacioni dhe i është hequr nga KEMP-i epror sepse ka qenë në marrëdhënie pune”, thotë Hysni Lluka, mjek pranë SHSSH në Gjirokastër.

Sot Dituria e ka të pamundur të marrë trajtim për sëmundjen. Kushtet ekonomike dhe jeta në varfëri i pamundësojnë blerjen e ilaçeve apo ndërhyrjen.

Të ardhurat e vetme të familjes me dy anëtarë janë pensioni i pleqërisë së të atit  97-vjeçar.

Top Channel