“Greqia, te dhrahmia”. Reagime pas deklaratës së zëdhënësit të Syrizës

01/02/2017 00:00

Reagime të mëdha ka shkaktuar në Greqi deklarata e zëdhënësit të grupit parlamentar të Syrizës, Nikso Ksidhakis, se biseda për rikthimin e dhrahmisë në shpëtimin e Greqisë nuk duhet të jetë tabu.

Jo vetëm partitë e opozitës, por edhe vet zyrtarë të lartë qeveritarë kanë dalë kundër kësaj deklarate, që ka rikthyer edhe njëherë makthin e falimentimit të vendit dhe skenarët për daljen nga Eurozona.

Ndërkohë, Athina zyrtare ndodhet në një ngërç të ri përsa u përket negociatave me kreditorët e saj, të cilët kërkojnë, përveç reformave të deritanishme, edhe masa shtesë si garanci pas vitit 2018.

Sondazhi i tretë brenda një jave, i publikuar orët e fundit, tregon tashmë një diferencë prej 10.2% të “Demokracisë së Re” përballë “Syrizës”, ndërsa më shumë se 60% e të intervistuarve besojnë se sivjet do të ketë zhvillime të paparashikuara në Greqi.

Megjithëse “Agimi i Artë” përsëri renditet në vendin e tretë në këtë sondazh, drejtues të tij shprehen se ata kanë rritur dyfish fuqinë e tyre dhe se kanë tashmë një ndikim të madh te grekët.

Në një artikull të fundit, që publikon britanikja “Independent”, Ilias Panajotaros, një prej udhëheqësve të kësaj partie, deklaron se fitorja e Donald Trumpit në SHBA i ka dhënë një frymëzim të ri kësaj force politike, që kërkon në radhë të parë të mbrohen interesat e grekëve.

“Dekreti për ndalimin e hyjres së myslimanëve në SHBA përforcon dhe zyrtarizon edhe politikat tona nacionaliste dhe patriotike, të cilat mbështesim për vite me radhë”, deklaron deputeti neonazist, që bën thirrje për të ndjekur shembullin e presidentit të ri amerikan, për të mos lejuar që Greqia të bëhet një tokë e pambrojtur, ku mund të hyjë dhe të dalë kush të dëshirojë.

Top Channel