12-vjeçari dogji të pastrehun, nuk ndiqet penalisht në Serbi

15/12/2016 00:00

Djaloshi 12-vjeçar që vrau një të pastrehë në Serbi nuk do të hetohet për shkak të moshës së tij të mitur.

I mituri duket se ka qenë nën shoqërinë e dy bashkëmoshatarëve të tij, 12 dhe 13 vjeç, kur vendosi t’i vinte zjarrin një dysheku të përdorur nga i pastrehu në qytetin verior të Novi Sadit.

I pastrehu ndërroi jetë në spital për shkak të djegieve të pësuara mëngjesin e së mërkurës.

Policia thotë se djemtë ishin marrë në pyetje me prindërit e tyre të pranishëm, e më pas u lanë të lirë për shkak se ishin nën 14 vjeç, mosha më e vogël pas së cilës një njeri mund të mbahet i përgjegjshëm për një ngjarje kriminale.

Agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” citoi shefin e policisë për krimet e të miturve, Olivera Zecevic, të ketë thënë se procedimet penale nuk do të nisin, edhe pse “policia e gjeti autorin e asaj ngjarjeje”.

Zecevic tha se, me rëndësi ishte që prindërit e dinin se ku ishin fëmijët e tyre dhe morën përgjegjësinë për udhëheqjen e sjelljes së tyre.

Policia pritet të hetojë tashmë nëse ekzistojnë bazat për të hetuar prindërit e tyre në këtë rast, siç deklaroi avokati Milan Alanovic për televizionin serb “RTS”.

Kufiri minimal i moshës për të cilin njerëzit mbahen përgjegjës për krime të ndryshme varion nga vendi në vend në Europë, nga 10 vjeç në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut, deri në 16 vjeç në Rusi.

Televizioni serb tha se djaloshi i mitur i kishte vënë zjarrin dyshekut të të pastrehut rreth orës 3:30 të mëngjesit të së mërkurës. Zjarri u përhap me shpejtësi në rrobat e viktimës, i cili ndërroi jetë edhe pse u dërgua me urgjencë në spital. Viktima ishte një person i moshës 52-vjeçare.

Policia, gjithsesi, vijon hetimet mbi atë çfarë ndodhi dhe se çfarë hapash duhet të ndërmarrë në të ardhmen.

Top Channel