Vrasja për zhurmën e lokalit, kërkohen 18 vite burg

10/10/2016 00:00

Ka mjaftuar vetëm një seancë ndaj Alban Hykës, pasi ky i fundit ka pranuar gjykimin e shkurtuar në procesin ku akuzohet për vrasjen e Luan Koprenckës.

Mosmarrëveshjet dhe debatet mbi zhurmat që shkaktonte lokali që administrohej nga motra e të pandehurit ka qenë shkak i vrasjes së 55-vjecarit Koprencka, në fundmajin e këtij viti.

Sipas prokurorisë, i panehuri Hyka pasi ka debatuar me viktimën, i cili ankohej për zhurmat që i shkaktoheshin nga lokali që kishte poshtë shtëpisë dhe janë përleshur fizikisht me të.

Pas konfliktit fizik, Hyka e ka ndjekur viktimën duke e qëlluar me thikë në ije, plagë e cila i ka marrë edhe jetën. Ngjarja, dhe aq më tepër motivet, shokuan banorët e zonës së Kombinatit.

Gati 5 muaj pas ngjarjes, lokali vazhdon punën ndërsa sipër tij ndodhet shtëpia e të ndjerit. Tani në këtë zonë mbizotëron qetësia, blerja e së cilës i kushtoi jetën një personi, burgosi me dhjetëra vite një tjetër, ndërsa dy familje mbetën me marrëdhënie të acaruara mes tyre.

Top Channel