Vdekja tek landfilli, disa nga të arrestuarit: Nuk e njihnim 17-vjeçarin

11/08/2016 00:00

Vdekja e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës ka detyruar prokurorinë që përveç hetimeve për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes të hetojë edhe për mënyrën se si i riu ishte punësuar.

Nga dëshmitë e deritanishme të punonjësve të firmës “3R” që operon në landfill ka rezultuar se disa nga punonjësit e njihnin të riun që punonte atje, ndërsa të tjerë jo.

Kjo, sipas prokurorisë, referuar edhe dokumentacionit të seksuestruar përforcon dyshimet se i riu shfrytëzohej në të zezë në atë punë dhe se kompania nuk e kishte të regjistruar si punonjës, qoftë edhe të përkohshëm.

Ndërsa sa i takon hetimeve për vdekjen e 17-vjeçarit, manovruesi i ekskavatorit, Edmond Kallari ka deklaruar se, atë natë kur dyshohet se i riu ka vdekur ka qenë një natë me shi dhe se ai nuk e kishte pikasur në asnjë moment të punës së tij djalin.

Ndërsa ekspertiza mjekoligjore ka përcaktuar se i riu ka dëmtime të shumta dhe thyerje në disa pjesë të kockave trupore, dëmtime të cilat sipas ekspertëve mund të shkaktohen vetëm nga makineritë e rënda.

Për këtë ngjarje aktualisht prokuroria ka të arrestuar 3 persona, punonjës të firmës “3R”, ndërsa është në kërkim administartori i kësaj firme.

Top Channel