Maqedoni, refugjatët rrëzojnë gardhin; në Calais nis boshatisja e “Xhunglës”

29/02/2016 12:50

Tensionet e shtuara prej ditësh shpërthyen sot në kufirin e Greqisë me Maqedoninë, ku një grup emigrantësh rrëzoi barrierën e telave me gjemba, ndërsa policia përdori gazin lotsjellës për t’i zmbrapsur.

Situata është mjaft e rënduar në Idomeni, ku dhe ndodhi incidenti. Një pjesë e gardhit u shkatërrua dhe nuk dihet me saktësi sesa emigrantë arritën të kalojnë në anën tjetër.

Rreth 6.500 refugjatë kanë ngecur në anën greke të kufirit, ndërsa autoritetet maqedonase e kanë bllokuar thuajse krejtësisht kalimin, duke lejuar vetëm pak vetë që të shkelin në tokën e tyre.

Një pjesë e të ardhurve fushojnë atje prej gati një javë, në kushte ekstreme, me shumë pak ushqime apo ilaçe në dispozicion. Greqia nuk e ka fshehur zemërimin që i shkaktoi vendimi i Austrisë për t’i vënë një kufi numrit të emigrantëve.

Lëvizja e Vjenës dhe disa vendeve ballkanike për ngritjen e barrierave në kufi e kanë hedhur mbi shpatullat e Athinës thuajse të gjithë barrën e “lumit” të njerëzve, që nuk resht së vërshuari drejt Europës nga Turqia.

Pjesa dërrmuese e tyre i largohen luftrave në Lindjen e Mesme, por ka dhe nga ata, të cilët përpiqen t’u shpëtojnë abuzimeve me të drejtat e njeriut në Afganistan, Eritre dhe zona të tjera konflikti.

* Në të njëjtën orë, në Francë ka nisur boshatisja e kampit të refugjatëve në kampin e Calais (Kale), i njohur ndryshe si “Xhungla”.

Sipas mediave franceze, rreth 55 automjete të policisë kanë mbërritur në kampin më të madh të çadrave të Francës. Agjentët kanë urdhëruar emigrantët që të braktisin vullnetarisht pjesën jugore të kampit, ndryshe do të përdorin forcën.

Boshatisja e pjesshme e kampit u aprovua nga autoritetet franceze të enjten e kaluar, si dhe nga gjykata administrative e qytetit të Lilës. Sipas një vlerësimi të fundit të Prefekturës së Calais, në kamp jetojnë rreth 3.500 persona.

Qeveria e Presidentit Francois Hollande ka siguruar se, të gjithë emigrantëve që do të lëvizen nga kampi do t’u ofrohet një alternativë në konteinerë me ngrohje dhe në qendra pritjeje, por OJQ-të që veprojnë në këtë fushë deklarojnë se, shtretërit për akomodimin e tyre nuk mjaftojnë.

Top Channel